Doni të fitoni zemrat e profesorëve? 10 këshilla efikase për ju
WOW

Doni të fitoni zemrat e profesorëve? 10 këshilla efikase për ju

12 Tetor 2017 | 12:21

Shkolla ka nisur që në shtator, kurse universitetet të hënën tjetër, kështu që JOQ.al ka përgatitur 10 këshilla suksesi paraprake për studentët, sidomos ata të vitit të parë. Një cikël i ri po nis për ju, kështu që lexojeni me kujdes këtë artikull, sepse këto janë ditët e stërvitjes para përballjes me… lugatët. Ups, profesorët! Na falni, se u ngatërruam. Për të kaluar një vit të suksesshëm, duke fituar zemrat e tyre dhe duke krijuar imazhin e studentëve të shkëlqyer, duhet të ndiqni me përpikmëri “urdhëresat” e mëposhtme. 

 

 

1. Banka e parë

Nëse doni që profesorët të krijojnë një përshtypje të mirë për ju, hapi i parë është pozicioni në klasë. Nëse ua kaloni në sprint atyre vajzave të fiksuara pas shkollës (sinjal parkimi kanë mustaqet) dhe arrini të uleni në bankën e rreshtit të parë, jeni në rrugën e duhur. Profesorët do të mendojnë menjëherë se e keni mendjen te mësimi dhe se jeni të interesuar vetëm për të mësuar.

2. Syzet

Edhe nëse nuk keni probleme me sytë, e mira është të mbani syze. Thjesht kur lexoni apo në rastet ku jeni para kompjuterit. Kjo është diçka që nuk ju prish punë. Djemtë, sidomos, përfitojnë shumë. Nëse je një djalë me mjekër të çuditshme, stil flokësh sikur ke ardhur nga Marsi dhe vishesh si vagabond, edhe po të jesh me të gjitha dhjeta, në plan të parë profesorët s’do të duan të të shohin me sy. Nëse mban syze, këtu po, je zyrtarisht në grupin e djemve të mirë! Do të kujtoheni për ne mbi këtë këshillë, pa merak!

3. Të flasësh kot

A e dini se fjala në shkollë vlen edhe kur ia fusni kot? Po! Për shembull, profesori po flet për një eksperiment dhe shpjegon kush e ka nisur i pari. Sapo të dëgjoni emrin e shkencëtarit, përsëriteni sikur e dinit! Bëjeni këtë dhe ai do të mendojë se ju vërtet e dini. Madje, do të gëzohet, sepse do të ndihet mirë duke kuptuar se ka studentë që po e ndjekin. Shpesh thjesht bëni sikur po flisni për mësimin dhe, sigurisht, pyesni pafund! Sa më shumë që pyesni, aq më mirë është. Gjithçka është marketing, miq. Marketing i vetes.

4. Shkrimi i bukur

Shpesh ndodh që profesorët i shtojnë disa pikë në vlerësim, kur studentët e kanë shkrimin e bukur. Meqë gjatë universitetit shkrimi veçse prishet, sepse çdokush përpiqet të shkruajë shpejt dhe të largohet, kjo ndodh natyrshëm. Ju, megjithatë, nuk duhet t’ia lejoni këtë vetes. Të paktën në provime! Statistika nuk kemi bërë, por kur profesorët i kuptojnë të gjitha fjalët që shkruani, jua japin një shpërblim. Pse ta digjni veten kot, xhanëm?

5. Minutat e fundit

E keni parasysh atë çastin kur mësimi ka përfunduar, madje kanë kaluar edhe disa minuta dhe të gjithë duan të largohen? Pikërisht këtu vjen truku i radhës. Për të fituar vëmendje, ju këshillojmë të mos lëvizni. Nëse na ndoqët që nga këshilla e parë, jeni ulur në bankën e parë, kështu që profesori ju sheh kollaj. Ju nuk duhet të ngriheni në këmbë si për të bërë presion dhe për të treguar se mësimi ka përfunduar. Jo, duhet të qëndroni të ulur dhe të mos largoheni deri kur profesori të ngrihet nga tavolina. Mundësisht, bëjani një pyetje të fundit! Jeni studiozë, pra, mos harroni!

6. Partneri ideal

“Trimi i mirë, me shokë shumë” është fjala e urtë tipike e ngelësve. Ata duan thjesht notën 5 dhe kujdesen që të kopjojnë në grup. Trimëri e madhe, sigurisht, sepse celulari apo kufjet duan burrëri për t’i mbajtur. Ata që duan nota të mira kanë një fjalë të urtë tjetër: “Shokun zgjidhe më të mirë se veten”. Pra, duhet që gjithnjë t’i rrini afër dikujt që është më i aftë se ju në mësime. Kjo ju ndihmon shumë për të ditur informacionet e fundit, për të zgjidhur ushtrimet e vështira, për t’u shpëtuar me një fjalë ndihmëse në çastet vendimtare kur jeni ngritur në mësim apo për të kopjuar shpejt e shpejt një detyrë shtëpie. Thjesht fakti që ju jeni në një bankë me një student të tillë ju shton oksigjenin!

7. Qerasjet

Të qerasësh një profesor është e vështirë, sepse quhet ryshfet ose servilizëm, por ka mënyra efikase për ta bërë këtë. Për shembull, nëse skuadra juaj e zemrës në futboll ka fituar një ndeshje të rëndësishme, afrojuni atij/asaj me të cilin keni afërsi dhe ju lejon të gjithëve për të folur ndonjëherë për t’i dhënë një çokollatë apo llokum. Nuk keni një skuadër zemre? Kujt i plasi, shpikeni! Ka skuadra plot, bëhuni tifozë/e! Mund të shpikni edhe një rast të madh familjar dhe të ngopni me gjitha të mirat profesorët. Quhet mashtrim? Ndoshta, por këtu po flasim për të ardhmen tuaj. Po ia treguat mamasë gjestin tuaj, “bravo!” do ju thotë.

8. Çasti ideal

Nëse profesori po bën një seri pyetjesh para provimit, ai është çasti ideal për të treguar sa vleni. Orët e përsëritjes janë shans i mirë për të “shitur” veten. Ruani pyetjen më të vështirë, jo këto të zakonshmet, prisni disa sekonda dhe bammmm! Nëse deri atëherë klasa ka heshtur dhe jeni përgjigjur saktë, profesori ju dashuron! Shkurt, keni rënë në sy!

9. Puna ju nderon

Studentët shqiptarë në përgjithësi etiketohen si parazitë, të cilët i lodhin prindërit, kërkojnë gjithçka dhe nuk punojnë. Kjo u shton shumë kredite studentëve të cilët punojnë. Nëse ju jeni në këtë kategori, përdoreni për të mirën tuaj. Për shembull, kur profesori ju qorton se nuk jeni përgatitur, theksojani se keni punuar deri vonë dhe se duhen nxjerrë lekët e qirasë. Kjo do ia këpusë zemrën. Si? Profesori juaj është maniak, i poshtër, gjakpirës dhe zemërzi? Epo, nuk ju themi dot dy herë brenda një shkrimi që ta mashtroni, se i bie të shpikni vdekjen e ndonjë gjyshi a stërgjyshi. Jo, nuk jemi kaq të pacipë.

10. …Por sëmundja jo!

Preteksti i punës, siç shkruam më lart, vlen, por justifikimet si gripi apo temperatura nuk funksionojnë. Mos mendoni se duke u shtirur si të sëmurë do të shpëtoni nga profesorët. Përkundrazi, kur e përsërisni, kjo i acaron. Nuk mund të jeni 365 ditë me probleme. Të biesh në sy ka kuptim vetëm kur ndihmon veten, jo kur ia fut vetes dhe dukesh si mjeran. U morëm vesh? Bravo! /JOQ.al

Lexo më shumë në: http://kosovarja.al/kuriozitete/

Më të lexuarat

Tribuna

Email