Sporti i “lëmoshës!”…

16 Gushtë 2017 | 16:38

Shkruan: Xhavit KAJTAZI

 

1.

Buxheti i një skuadre të superligës së Kosovës në futboll sillet diku prej 200.000 deri në 500.000 euro. Këto shifra i përmendin vetë zyrtarët e skuadrave, pavarësisht se mbase ato mund të jenë herë-herë edhe më te vogla.

Sivjet të hyrat pritet të jenë shumëfish më të mëdha, sikudër që edhe shpenzimet do të shtohen dukshëm.

Mirëpo, skuadrat tona edhe më tej jetojnë nga “lëmosha”, dhe sytë i bëjnë katër duke pritur mjetet e kuvendeve komunale.

Derisa është kjo gjendje, madje e pandryshueshme, niveli i cilësisë do të le shumë për të dëshiruar.

Kanë ardhur edhe disa futbollistë afrikanë, dhe nga futbolli i Shqipërisë, që janë risi sa i përket këtij edicioni. Risi janë edhe trajnerët nga Maqedonia e Shqipëria, që ngadalë po e bëjnë të ditur se do ta “pushtojnë” tregun e Kosovës. Ardhja e tyre, ka lënë pa punë disa trajnerë me emër në futbollin e Kosovës!

Siç po rrjedhin punët, nuk është larg edhe angazhimi i trajnerëve të huaj, sapo skuadrat tona të rrisin buxhetin e tyre financiar…

Afati i kalimit të futbollistëve ishte i bujshëm me emra, por që i përkasin pothaujse 90 për qind tregut vendor. Përforcimet e skuadrave ndodhëm sipas fuqisë financiare, gjithnjë duke u rrokullisur në qark të mbyllur…

Mirëpo, pavarësisht kësaj   kontratat me këto përforcime do të pësojnën pak ndryshime në krahasim me vitin e kaluar. Pra, një futbollist mund të paguhet më së shumti 1500 euro në muaj!

2.

Klubi i futbollit Prishtina, prej vitesh cilësohet më i njohri dhe sinonim i futbollit të Kosovës. Madje edhe më gjerë… Për Prishtinën shkruhet e flitet se ka dhënë shumë emra të futbollit, që kanë bërë edhe karrierë ndërkombëtare, gjë që është e saktë. Poashtu, thuhet se Prishtina është model që duhet të ndiqet për sa i përket organizmit dhe menaxhimit…

Por, si është e mundur që një skuadër kaq e madhe të jetojë nga dhuratat që i ofrohen, që nga pajisjet e deri te rekuizitat sportive?

Trepça e Mitrovicës, poashtu skuadër në zë, që i takon të ashtuquajturës “katërdhe të madhe” të futbollit të Kosovës, është në halle të mëdha. Që nga paslufta e këndej, ka hequr të zitë e ullirit për të mbajtur gjallë veprimtarinë. Pa kushte thelbësore që e bëjnë një skuadër të qëndrueshme, edhe kjo shpesh ka mbajtur gjallë shpresat përmes ndihmave të bashkëatdhetarëve dhe të njerëzve të vullnetit të mirë, me bindje se një ditë do të bëhet më mirë!

Por, si është e mundur,që Trepça, pas më shumë se njëzet vjetësh pune, të mbijetojë nga ndihmat që i ofrohen?

Vëllaznimi i Gjakovës, vatër e emrave të shquar të futbollit shqiptar, sivjet u ngjit në superligën e Kosovës, por vazhdon që të rropatet me telashe, mbi të gjitha financiare. Një skuadër kaq me peshë në futbollin shqiptar, detyrohet të kërkojë shpërtim nga koncertet bamirëse!

Por, si është e mundur, që Vëllaznimi, pas më shumë se pesëmbëdhjetë vjetësh, të mos e ketë të zgjidhur çështjen financiare?

Liria e Prizrenit, poashtu i ka përjetar të njëjtat halle, por duket se sivjet (mos qofsha i gabuar) i ka dhënë një shqelm të fuqishëm varfërisë dhe ka krijuar një grup njerëzish të denjë për te ecur tujte pa brengën e kahershme se a do të mund ta nisin dhe përfundojnë kampionatin pa telashe financiare.

Drita dhe Gjilanit poashtu kanë kaluar nëpër disa kriza serioze financiare, e duket se në edicionin e ri nuk do t’i përjetojnë më. Bazuar në gjendjen e re, për të cilën zyrtarët e  të dy skuadrave thonë është krejtësisht ndryshe nga vitet që i lamë pas, mirëqenia dhe qëndrueshmëria financiare do të jetë aleat i fuqishëm në rritjet e rendimentit të lojës dhe të rezultateve.

Drenica e Skënderajt, pa zhurmë dhe me kujdes, me forcat që ka pasur e që edhe sot i ka, ka qenë kryesisht skuadër stabile e mesit të artë, por që poashtu ka pasur edhe çaste të vështira për sa i përket sigurimit të mjeteve financiare për gara.

Llapi, ka ditur mirë ta menaxhojë gjendjen financiare, që i ka shërbyer pozitivisht në rrritjen e motivit për punë dhe rezultate, pavarësisht se në realitet kan pasur jo pak telashe edhe të natyrës financiare, por të cilën asnjëherë nuk e kanë shfaqur hapur.

Besa, fituese e Kupës, sivjet do ta ketë shumë vështirë të ruajë satusin e anëtarit të superligës. Me mungesë mjetesh financiare, trajneri Valdet Shoshi, do të nis një “mision të pamundur”, me një grup futbollistësh të rinj, pa emra të shquar të paktën në nivel të superligës.

Flamurtari dhe Vllaznia, që tashmë janë në elitë, gjatë edicionit të kaluar kanë pasur shpenzime të shtuara, pasi që kualifikimi në rag më të lartë ka dhe koston e lartë financiare. Po qe se do ta kenë këtë qëndrueshmëri financiare edhe në edicionin e ri të superligës, me fondin e futbollistëve që kanë grumbulluar, mund të kenë gjumë të qetë, në të kundërten, i pret luftë e madhe për mbijetesë.

Dymbëdhjetëshen e superligës e mbyllin Trepça ’89, kampione e Kosovës dhe Ferronikeli, që bazuar në gjendejn e tyre të deriatshme, kanë pasur gjendjen e konsoliduar financiare dhe nuk kanë pasur vështirësi  gjatë edicionit që e lamë pas. Po këtë gjendje të mirë financiare, kuptohet në kushte të Kosovës, pritet se do ta kenë edhe në edicionin e ri.

3.

Problemi kryesor i skuadrave mbetet edhe më tej mungesaa e infrastruktrës. Më së vështiri e ka Prishtina, e cila për këto shtatëmbëdhjetë vjet, nuk arriti të ketë kampin stërvitor, me sinonimin dhe epitetin që prore e ka mbajtur. Si është e mundur që për kaq vjet, një skuadër kaq e madhe, të mos ketë mundësi ta ndërtojë, të paktën, një fushë për stërvitje?

Edhe më e rëndë është gjendja sa i përket infrastrukturës në komunën e Prishtinës, e cila as sot e kësaj dite nuk e ka zgjidhur  problemin më parësor për skuadrat e futbollit të kryeqytetit.

Nuk ka qytet, madje edhe fshat, që nuk e ka të paktën një fushe sportive me bar sintetik. Komuna e Prishtinës nuk ka investuar asnjë cent sa i përket ndërtimit të fushave të futbollit, sidomos të atyre me bar sintetik, e që ka pasur mundësi me dhjetëra herë të bëjë këtë. Bie fjala: pse mos të rregullohen fushat e futbollit, në Sllatinë, Bardh të  Madh, Hajvali, Fushë-Kosovë, Barilevë, Raskovë, Prishtinë, Llukar…?

Ndërtimi i Qendrës Kombëtare të sportit, ku parashihet edhe stadiumi i futbollit, as që ka bërë hapin e parë dhe kryeqyteti është në pritje të sendërtimit të kësaj “ëndrre të bukur vere”,  pa asnjë investim në fusha sintetike, për të cilat futbolli i Prishtinës ka nevojë më shumë se kurrë. Komuna e Prishtinës, nuk ka asnjë telashe sa i përket truallit. Kudo që ka pasur fusha të futbollit , e që janë edhe sot, por të shndërruara në djerrina, apo kullosa bagëtish, mund të nis hapi i shumëpritur – ndërtimi i fushave të futbollit.

Sipas një përllogatitjeje, një fushë e tillë, me zhveshtore e lokale përcjellëse, do të kushtonte diku rreth 150.000 euro.

Skuadrat e tjera të superligës, të paktën sa u përket stërvitjeve, shumica kanë siguruar fushat me bar sintetik dhe pa vështirësi po e zhvillojnë veprimtarinë e tyre, ndërkohë që vazhdojnë të kenë telashe me stadiumet dhe fushat ku do t’i zhvillojnë ndeshjet zyrtare.

Derisa sa e kemi këtë gjendje, përfaqësuesja e Kosoës vazhdon të luajë në Shkodër…

 

 

Tribuna

Email