Populli rrenacak: Nuk jemi bijtë e shqipes, jemi bastardët e gënjeshtrës!

04 Nëndor 2017 | 13:14

Shkruan: Edison Ypi

Tmerr e shkuar tmerrit. Panoramë apokaliptike. Miku, armiku, shoku, kolegu, komshiu, i dashuri, e dashura, gruaja, burri, fëmija, të gjithë gënjejnë. Oqeani i gënjeshtrave ka mbështjellë gjithçka si eteri materien. Nuk i thua dot tjetrit asgjë. Sa të hapësh gojën, tjetri nis e lodh mendjen çfarë gënjeshtre po i thua, dhe me cilën gënjeshtër duhet të përgjigjet.

Çfarë deliri. Çfarë llahtari. Vishen me rraqe gabi dhe hiqen sikur ndjekin modën. I ngijnë flokët me xhel, dhe u duket vetja i bukur. Gjezdisin me Benzin e tjetrit dhe ushqehen me marmelatë të skaduar.

Merimanga e gënjeshtrave ka hyrë në çdo skutë. Hajdutin e bëjnë të ndershëm. Rekomandojnë drogën. Kurvën e shpallin model për t’u imituar. Rrugaçin e bëjnë hero. Budallain e quajnë mendimtar. Hajvanin patriot. Injorantin shkrimtar. Të çmendurin poet. Llafazanin opinionbërës. Dërdëllitësin këngëtar.

Gënjeshtra këtu nuk është e pjesshme, e përkohshme, relative, që përmes komunikimeve të mundohesh ta korrektosh. Gënjeshtra e këtushme është gjithëpërfshirëse, finale, definitive, totale. Kapilarizimi i gënjeshtrës nga fëmija te buzëvarri, nga më i dituri te më injoranti, nga më mendjelehti te më mendjemadhi, dhe gjithë të tjerët ta kall tmerrin, ta ftoh trurin, t’i mpin gjymtyrët, ta fut dëshpërimin, ta nxin ditën, ta helmon jetën.

Nuk gënjejnë një herë që t’i falësh, apo tre herë që pasi të fjalosesh të mirëkuptohesh. Gënjejnë pafundësisht herë. Gënjejnë kur flasin. Gënjejnë kur pyesin. Gënjejnë kur përgjigjen. Gënjejnë kur rrinë. Gënjejnë kur lëvizin. Gënjejnë kur hanë. Gënjejnë kur flenë. Gënjejnë kur ëndërrojnë. Gënjejnë kur dashurojnë. Gënjejnë kur urrejnë.

Nuk gënjejnë më të rrallë, pa të keq, se ashtu e kanë tipin, të atillë e kanë vesin. Gënjejnë gjithë kohën. Gënjenin dje, gënjejnë sot, do të gënjejnë nesër, do të gënjejnë deri ditën e fundit, deri frymën e fundit.

Nuk gënjejnë bukur, nuk gënjejnë këndshëm, që të mendosh se gënjejnë për humor apo për të alternuar bisedën që të largojnë monotoninë, mërzitjen. Gënjejnë dosido. Gënjejnë si u vjen doresh. Gënjejnë pa u menduar. Nuk gënjejnë me arsye apo pa arsye, me shkak apo pa shkak. Gënjejnë kot. Gënjejnë me instinkt. Gënjejnë pa e ditur pse gënjejnë. Gënjejnë sepse u duket se duhet të gënjejnë.

Gënjeshtarët më të qelbët përsërisin vazhdimisht se gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra, se gënjeshtra ka bisht etj., sikur demek gënjeshtra është gjë e gjallë, sikur brenda të vërtetës mbisunduese gënjeshtra është e përkohshme, janë pohime moralistike rrenacake për të mundësuar të tjera e të tjera gënjeshtra të pafundme. Gënjeshtra e këtyre nuk ka këmbë, duar, bisht, nuk është gjë e gjallë. Gënjeshtra e këtyre është një makineri e skëterrshme që vigjëlon të vërtetën ta gjejë ku e ka nxjerrë kokën t’ia shtypi.

Gënjejnë të gjithë pa i lëvizur qerpiku. Pa turp, pa edukatë, pa vetëpërmbajtje. Gënjen muhabetçiu, gënjen dyqanxhiu, gënjen nëpunësi, gënjen eprori, gënjen inferiori, gënjen politikani, gënjen deputeti, gënjen ministri, gënjen kryetari, gënjen sekretari, gënjejnë statistikat, gënjejnë deklaratat, gënjejnë konferencat, kongreset gjithashtu gënjejnë, mbledhjet gënjejnë, të gjitha dhe të gjithë veçse gënjejnë dhe gënjehen.

Fejsbuku dhe Instagrami që u duk se ishin shpikur për ta kufizuar gënjeshtrën, u dorëzuan para zulmës së pandalshme gënjeshtare shqiptareske. U bënë vetë ata gënjeshtarët më të mëdhenj që gënjejnë e vetëm gënjejnë, e asgjë tjetër s’bëjnë. Gënjejnë edhe ata që për t’i përcjellë me besnikëri gënjeshtrat paguhen, gënjejnë spiunët. Ndoshta kanë të drejtë. Se të spiunosh vetëm gënjeshtra zor të vejë mendja se mund të ekzistojë e vërteta.

Gënjejnë dhe i gënjen inxhinieri. Gënjejnë dhe i gënjen ustai. Gënjen i sëmuri mjekun. Si pasojë gënjen mjeku të sëmurin. Ka mbetur vetëm me veten dhe kompjuterin. Thotë jam djathtist, jam konservativ, jam populist, pra rrenacak, halabak, morracak, pleh.

Shfaqet tjetri si progresist, si liberal, si shpërthyes, si revolucionar. Mirëpo, para sfidës së parë nis e lëviz si urith, mblidhet si kërmill brenda guaskës së vet, interesin e vet, shkurt është rrenacak. Një tjetër mburret dhe thotë se e ka për nder që është fanatik politik. Nxjerr shpatën nga brezi dhe vret e pret mullinjtë e erës. Në fakt është gënjeshtar, është interesaxhi i ndyrë, që pret të vijë në pushtet partia e tij ta vërë përsëri në punën e pameritur për të vjedhur.

Thotë për mikun e kafenesë, është poet, është shkrimtar, ka kaq e aq vepra, kaq e aq përkthime. Ja pret miku-mikut; është studiues, shkencëtar, historian. Të dy gënjeshtarë. Të dy mbijetues grafomanë, pa asnjë talent, pa asnjë ideal. Gënjen kafeneja, gënjen televizori, gënjejnë tabelat që njoftojnë datën e fillimit dhe mbarimit dhe koston e punimeve në rrugë.

Gënjejnë opinionistat, analistat, kazanistat, që për fakte konsiderojnë çfarë shohin nëpër ëndrra. Rretheqark, vetëm gënjeshtra. Bërtit sa ta tundësh dheun. Ulurit sa të ngresh dallgët e oqeaneve. Grise qiellin duke klithur me turi nga hëna ose nga halja.

Gjurmën, hijen, shijen e të vërtetës nuk e gjen dot kurrën e kurrës. As këtu, as atje, as në horizont, as kurrkund. Mund të kuturisësh në një mijë mënyra për ta parë a për ta prekur të paktën një grimcë të së vërtetës, për t’ju lutur asaj grimce të të thotë ku është e tëra, pse largohet, pse fshihet, pse rrëshqet. E kotë. Sapo nis, ndjen se ndërmarrë një aventurë. Rrethohesh menjëherë nga gënjeshtra të tjera.

Njerëzit që gënjejnë nuk mund të dashurojnë, nuk mund të ndërtojnë, nuk mund të përparojnë. Nuk jemi bijtë e shqipes. Jemi bastardat e gënjeshtrës. Popull rrenacak. Popull i drunjtë. Popull Pinok. Popull i vdekur i pakallur.

Tribuna

Email