Kur padrejtësisht inkurajohet të jesh verior

09 Maj 2017 | 13:48

Nga Elvinë Sefiu

Projektligji për aftësimin, riaftësimin profesional dhe punësimin e personave nga pjesët veriore të Kosovës në secilën pikë është diskriminues dhe i padrejtë për jo serbët. Një i tillë nuk do të duhej as të mendohet të hartohet e lëre më të hyjë në fuqi.

Pse nuk është bërë Projektligji për aftësimin, riaftësimin profesional dhe punësimin e qytetarëve të Kosovës por duhet të specifikohen nacionalitetet.

Për më tepër,  sipas ligjit shuma e subvencionimit të vendit të punës mund të arrij deri në 50 (pesëdhjetë) % përqind të pagës së të punësuarit të pjesës veriore, mirëpo “kjo shumë e subvencionuar nuk do të tejkaloj shumën prej 300(treqind) EURO për një vend pune. “

Aspak e drejtë për punëkërkuesit e vendeve tjera, ose po shkojmë po bëhemi  me dokumente të gjithë nga veriu për të përfituar si punëmarrës.

Përveç kësaj, paga minimale e cila do të paguhet për të punësuarin nga pjesët veriore “nuk do të jetë nën shumën prej 300(treqind) EURO në muaj.”

E përkryer, por po duam që kjo të obligohet edhe për pjesë tjera të Kosovës, ndryshe na inkurajon të bëhemi verior.

Për ta zbutuar paksa përmendet që punësimi do të bëhet nëpërmjet Agjencionit të punësimit në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.

“Subjekti ekonomik do të dorëzojë një kopje të kontratës së punësimit për të cilën dëshiron të punësoj një person nga veriu i Kosovës. Subjekti ekonomik duhet të dëshmoj në fund të vitit përkatës se ka bërë të gjitha pagesat e pagës duke përfshirë edhe subvencionimin e pjesës nga Buxheti i Republikës së Kosovës.”

Ky nen shuan shpresat se ndonjë punëdhënës do të merret me dikë që vjen nga veriu, kur e dimë se sa funksionale është ekonomia joformale.

Aty kërkohet që dëshmia të paraqitet me transferet bankare të kryera si dhe me dëshminë përkatëse të pagesës së të gjitha obligimeve pensionale dhe tatimit në pagë të ndalur në burim.

E për këtë dihet që ende ekzistojnë në Kosovë gjithandej biznese që pagat nuk i shpërndajnë përmes bankës, por u jepen partë e gatshme e njohur në popullatë si “kesh”.

Pavarësisht se një punëtorit joverior as nuk i përfshihen se lëre më të mbikqyret zbatimi, personi nga veriu i Kosovës themelon marrëdhënie të punës me nënshkrimin e kontratës së punës, në përputhje me Ligjin e punës, kontratën kolektive dhe aktin e brendshëm të punëdhënësit.

Aktualisht një ligj i përafërt është ai për persona me aftësi të kufizuara, por jo edhe për persona tjerë qytetarë të Kosovës.

Nuk do shumë mend të konstatohet se ky projektligj është edhe një diskrimin tjetër pozitiv për serbët, kësaj radhe të ndarë në ata verior, në mesin e shumë privilegjeve tjera që kanë.

Duket sikur hartuesit e tij, ose nuk kanë qenë qytetarë të Kosovës, ose e kanë marrë të gatshëm për ta përafruar gabimisht, që domosdo do të duhet të kishte edhe kundërshtime nga përfaqësuesit e legjislativit, meqë tashmë është në duart e tyre.

Atë kohë e propozuar nga Safete Hatërgjonaj dhe 26 deputetë të tjerë, ky projektligj është duke u shqyrtuar në Kuvend që nga 24 nëntori i vitit të kaluar, dhe po tentohet të kalohet në heshtje pavarësisht të gjitha këtyre padrejtësive.

(Autorja është kryeredaktore në portalin arbresh.info)

Tribuna

Email