“Kujdesu me shekuj, e prish tani”

17 Prill 2018 | 9:41

Shkruan: Verona Selimi

 

“Ata qe nuk e njohin te kaluarën janë si foshnja, nuk dinë gjë!”- është një thënie e vjetër, mirëpo kuptimi i saj gjithmonë mbetet i freskët. Njohja e të kaluarës së një vendi, përfshin edhe  njohjen e trashëgimisë kulturore. Mirëpo, vetëm njohja nuk është e mjaftueshme, kujdesi dhe ruajtja e tyre është një sfidë e përhershme e rrallë herë fryt dhënëse. Rastet e shkatërrimit të trashëgimisë kulturore janë të shumta, qoftë nga njerëzit, qoftë edhe nga institucionet kompetente për ruajtjen e tyre.

Kosova me vlerat e saj të Trashëgimisë Kulturore është dhe mbetet një atraksion turistik shumë tërheqës dhe i hapur për të gjithë turistët.

Trashëgimia kulturore përfshin trashëgiminë arkitekturale, trashëgiminë arkeologjike, trashëgiminë e luajtshme dhe trashëgiminë shpirtërore.

Trashëgimia Materiale e Kosovës është krijuar në mes të qytetërimeve antike, dhe asaj pas erës së Re, e cila trashëgon një thesar të pasur kulturor, dhe është pjesë e trashëgimisë kulturore botërore. Kjo trashëgimi e pasur, gjendet në çdo pjesë të Kosovës, në parqet e qendrat arkeologjike, në parqet natyrore, në galeritë e artit, në arkivat fotografike e filmike, në kalatë dhe kullat, në monumente fetare dhe banesat popullore, në kalldrëmet e rrugicat e ngushta, në shatërvanët  si edhe në të gjitha muzetë e saj.

Ligji për trashëgimin kulturore hyri në fuqi më 15 maj 2001, dhe qëllimi i këtij ligji është që të rregullojë legalisht fushën e trashëgimisë kulturore në lidhje me ruajtjen, mbrojtjen, qasjen publike, komunikimin dhe pajisjen e burimeve të domosdoshme me qëllim që trashëgimia të shijohet nga gjeneratat e tashme dhe të jetë e gatshme për gjeneratat e ardhshme si një dokument historik dhe kulturor

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit(MKRS), ka listuar monumentet kulturore tëKosovës, kështu Peja prinë me 856 monumente të trashëgimisë kulturore, Gjilani me 174, Mitrovica me 164, Gjakova me 148 dhe Ferizaj me 130.

Kush po e shkatërron kulturën?

Ka raste të freskëtakur njerëzit për qëllime vetjake nuk kursyen as tëkaluarën kulturore të vendit te tyre. Njëra nga këto raste, është rasti i Kalasë së Vushtrrisë apo njohur ndryshe Kalaja e vjetër.

Kalaja e Vjetër është simboli i Vushtrrisë. Gjendet në qendër të qytetit dhe është njëra nga monumentet kulturore më të vjetra në Republikën e Kosovës. Kalaja ështënën mbrojtjen e përhershme. E ri konstruktuar disa herë, ajo ka arritur t`i mbijetoj kohës. Në vitin 2014,  ajo u restaurua me investimet nga MKRS-ja me 110 mijë euro dhe Ambasada e ShBA-së me 350 mijë euro, përnjëperiudhë dy vjeçare. Pas restaurimit, aktivitet e mbajtura nga shoqëria civile nëkala ishin të shumta.

Mirëpo, historisë dhe rëndësisë së saj nuk ia vunë veshin IKMM(Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve) dhe komuna e Vushtrrisë, të cilët e dhanë kalanë përshfrytëzim.

Në korrik te vitit 2017, kalaja  iu dha  për shfrytëzim “Dardania Castle” për shndërrimin  saj në restorant. Mentor Salihu, të cilit iu dha për shfrytëzim kalaja, pohoi se ajo do të shndërrohet në restorant por në asnjë moment nuk do të kufizohet qasja e vizitorëve.

Po, paradoksi qëndronte në faktin se, Mentor Salihu ishte djali i dajës së kryetarit të komunës në atë kohë, Bajram Mulaku. Kjo e bënte çështjen edhe më të komplikuar.

Reagimet e qytetarëve ishin të shumta, e reagimin më të madh e pati Drejtoresha për Rini,Kulturë dhe Sport, aso kohe, Shpresa Rama. Pas reagimeve të shumta çështja u pezullua dhe kalaja nuk u dha për shfrytëzim. Ndërsa sot, ajo shfrytëzohet për aktivitetet të shumta rinore.

Rasti tjetër, i cili e tregon qartë mos kujdesin e institucioneve për trashëgimin kulturore është edhe ai “Xhamia e Çarshisë”në Prishtinë.

Xhamia e Çarshisë, e ndërtuar para 600 vjetësh, sot është jashtë funksionit.Në vitin 2011, ajo hyri në një proces restaurimi mirëpo, restaurimi u ndal në vitin 2013. 562.000 euro nuk mjaftuan për restaurim, ndërsa arsyet e ndalimit të restaurimit ende nuk dihen, ndonëse përgjegjësit për restaurim janë paditur.  Interesimin për restaurim e ka shprehur organizata turke TIKA, mirëpo institucionet përkatëse nuk u pajtuan. Sot kjo xhami, është në gjendje të mjerueshme , gjysmë e rrënuar dhe e mbuluar nga mbeturinat.

Rastet e tjera të moskujdesit të monumenteve të trashëgimisë kulturore nga institucionet gjegjëse, kanë qenë edhe fatale. Shembja e një shtëpie të vjetër, të ruajtur si vlerë kulturore,  në Prizren mori jetën e një tre vjeçare. Shtëpia u shemb si pasojë e mos restaurimit të saj.

Kosova në vitin 2015 tentoi të anëtarësohej në UNESCO(Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë e Kulturë) mirëpo,për shkak të tri votave nuk arriti të bëhej anëtarja e 196-të e kësaj organizate. Faji përmos  anëtarësimit në Organizate padyshim që u shkon institucioneve të cilat nuk bënë sa duhej përtë mbrojtur trashëgimin kulturore, ani pse në anën tjetër te medaljes, anëtarësimin në UNESCO u pa edhe si çështje politike.

Organizata për shpëtimin dhe  ruajtjen e trashëgimisë kulturore, CHwb (CulturalHeritagewithoutborders), raporton se nga viti 2002-2007 në Kosove janë rrënuar 44% e trashëgimisë kulturore.

Nëse institucionet kompetente për trashëgimin kulturore nuk i ruajnë këto monumente dhe nuk i restaurojnë, atëherë trashëgimia e pasur kulturore do të barazohet me 0. E monumentet do të mbeten vetëm si fotografi të bukura për t`iu treguar gjeneratave të ardhshme. Trashëgimia kulturore është vlerë e trashëguar për vite me radhe, prandaj në asnjë mënyre, ajo nuk duhet të shitet e as të shkatërrohet.

Tribuna

Email