Ku po “marrim n’thua”?

26 Korrik 2017 | 22:08

Xhavit KAJTAZI

Në një rol dytësor, por të një fushe të rëndësishme. Kështu nisën aventurën e re në futbollin e Kosovës dy trajnerë të huaj: italiani, Korrado Sakone, që erdhi në Prishtinë dhe gjermani Markus Myling, i cili iu bashkua KEK-ut të Kastrotit. Por, jo si kryetrajnerë. Që të dy erdhën në rolin e trajnerëve për përgatitje fizike, që sipas njohësve të kësaj fushe, i mungojnë futbollit të Kosovës.

Nuk ka nevojë të shtrojmë pyetjen: a ka Kosova trajnerë të këtij profili?

Me sa duket, heshturazi po e pranojmë se pikërisht këtu çalon futbolli i Kosovës dhe jo vetëm…

Derisa prej kohësh futbolli botëror po e zbaton me përkushtim formulën e basketbollit “vrapo dhe gjuaj”, duket se më në fund edhe njerëzit e futbollit të Kosovës me këta dy emra që sollën dhe Blendi Shkëmbi, një tjetër shqiptar te Liria e Prizrenit, do të përpiqen që gjërat t’i lëvizin ngadalë përpara.

E vetmja brengë tash për tash mbetet çështja që po e shtrojmë si pyetje: sa jemi të gatshëm teknikisht që të jetësojmë lojën e tipit “vrapo dhe gjuaj”, ose shprehur me gjuhën e futbollit: vrapo, kalo, gjuaj – gjithçka në lëvizje…

Futbolli i Kosovës vazhdon të vuajë nga shumë mungesa. Mungon shumëçka; më së shumti infrastruktura dhe mjetet financiare. Investimi dhe angazhimi i drejtuesve të skuadrave, por edhe i shtetit ndihmon daljen në udhë të drejtë…

Talentet po na ikin përditë nga Kosova… Shumë prej tyre, të dëshpëruar, edhe po e braktisin futbollin…

(Autori eshte gazetar i sportit ne Tribuna Chanel)

Tribuna

Email