Fundi i euforisë

09 Janar 2017 | 16:42

Xhavit Kajtazi

Ndërkombëtarizimi i plotë i sportit të Kosovës, ka kaluar nëpër një udhë jashtëzakonisht të vështirë, përplot pegesa nga kundërsharët historikë, që nuk kanë lënë gur pa lëvizur në dëm të shtetit tonë të ri, që nuk qëndroi duarkryq, por poashuajse tri decenie nuk ka lënë derë pa trokitur, që të shpërthejë izolimin e hekurt.

Gjithçka që ka ndodhur në këtë periudhë të rëndë, madje shumë të dhimbshme, do të mbetet në kujtesë, si dëshmi e zhvillimit të veçantë dhe të jashtëzakonshëm të sportit të Kosovës, që, besoj me të drejtë e kam quajtur “sporti i luftës”, i pashembullt në periudhën moderne të sportit botëror përgjatë dy shekujve…

Izolimi i padrejtë i ka kushtuar dhe po vazhdon t’i kushtojë sportit të Kosovës. Hapi i humbur me vite, ka  lënë pasoja në të gjitha pikëpamjet… Kjo u pa qartë gjatë vitit që e lamë pas. Që nga niveli i skuadrave e deri te përfaqësueset, të kapluar nga euforia, gjithçka nisi dhe u mbyll me pagëzimet “ndeshje historike”, “paraqitje historike”, “fitore historike”… Kjo eufori e kuptueshme, ishte goxha e kushtueshme, por dëshira për të dalë jashtë kthetrave të izolimit, ishte prore mbulesë e shpenzimeve…

Shenjat e para të “shpëtimit” nga “kthetrat” e euforisë u shfaqën në sportet luftarake. Kulmi i gjthë kësaj ishte Majlinda Kelmendi, e cila që nga “Londra 2012”, pse jo edhe më përpara paralajmëroi se do të jetë sportistja jonë e parë e cila Kosovës do t’ia sjell medaljet, madje edhe olimpike. Kështu edhe ndodhi. Lojërat Olimpike Verore “RIO 2016”, në Brazil, sollën medaljen e artë, intonimin e himnit shetëror dhe ngritjen e flamurit të shtetit të ri…

Pranimi i Federatës së futbollit të Kosovës në UEFA dhe FIFA, poashtu u përshkua me nje entuziazëm të paparë, por edhe me një eufori të fuqishme, e cila futbollin e Kosovës në nivel përfaqësues  e shoqëroi gjatë gjithë ciklit kualifikues për Botërorin e futbollit “Rusi 2018”…

Pavarësisht gjithë kësaj pasqyre, që për mendimin tim ishte e arsyeshme dhe e kuptueshme, 2016-ta me të drejtë mund të quhet vit i sportit të Kosovës…

Tashmë gjithçka që ndodhi gjatë vitit 2016 i takon historisë. E pamë ku jemi pothausje në të gjitha sportet. Pamë potencialin tonë, dhe gjithçka e kemi të qartë. Cilësia e sportit dhe e sportistëve tanë mori vlerësimin e merituar… Izolimi 27-vjeçarë ka lënë pasoja të rënda…

Me një infrastrukturë shumë të dobët, e cila siç u pa nuk i plotësoi as kriteret thelbësore, sportisët tanë nuk kanë pasur mundësi të bëjnë më shumë… Mungesa e Ligjit për sport dhe e Ligjit për sponsorizim, ka lënë pasoja që sollën shuarjen e shumë klubeve sportive, sidomos në krijimin e kushteve të punës dhe më shumë se kaq për sportistët, të cilët, edhe më tej pas veprimtarisë sportive, pa dashjen e tyre, i gjejmë të merren edhe me punën e kamarierit!

Tashmë kur është kompletuar infrastruktura ligjore, sportistët e Kosovës me të drejtë presin të shijojnë të mirat që dalin nga këto dokumente…

Mirëpo, pavarësisht se ligjet janë miratuar, pa jetësimin e tyre në praktikë, sporti nuk do të ketë kurrëfarë dobie…Letra duron gjithçka!… Sporti dhe sportistët kanë nevojë për donatorë…

Përqindja e miratuar për lirimin nga tatimi në fitim për donatorët, po shpresojmë të jetë e mjaftueshme, sidomos për korporatat. 30 për qind për sportin nuk janë për t’u nënçmuar!

Infrastruktura ligjore tash duhet t’ia hap udhët privatizimit të klubeve sportive… Shteti i Kosovës përfundimisht duhet të lirohet nga ndarja e mjeteve financiare për klubet… Investimet duhet t’i drejtojë vetëm në nivelin përfaqësues.

Me vitin 2016 sporti i Kosovës duhet t’i thotë lamtumirë euforisë!

Tash është koha t’i kthehemi realitetit dhe, që, prej tash, në konkurrojmë me cilësi, pa eufori…

(Autori është gazetar i sportit në Tribuna Channel)

Tribuna

Email