Fol shqip,o vëlla !

06 Shkurt 2017 | 16:39

Shkruan: Shemsedin Preteni

 

Në një televizion shqiptar, jo të tipit kiosk, por serioz dhe tashmë i dëshmuar me përkushtimin dhe punën profesionale, më ra në sy një figurë nga skena e muzikës kosovare.

Ky tipi ishte ulur në njërën nga katër karrigat lëvizëse, cka do të thotë se ishte pjesë e jurisë vlerësuese të një spektakli të madh muzikor. Po të ishte pjesë e “ spektaklit më të shikuar” të Naim Abazit nuk do të kishte asgjë te keqe.

Sepse që të dy përkojnë me nivelit e njëri tjetrit. Por, të jesh pjesë e një programi argwtues, të një rangu të lartë, me një shikueshmëri milionëshe, duhesh së pari të jesh i ngritur në aspektin profesional për çka je i ftuar,por edhe gjuhësor.

Mendoj se një kanal televiziv nuk vleresohet vetem mbi programin e informacionit, por edhe të fushave tjera,sepse një format të tillë e përcjellin i madh e i vogël. Ky tipi, që nga java në javë po bëhet i padurueshëm,me sjelljet dhe gjuhën që po e përdor, në rend të parë nuk po tregon respekt për veten dhe më shumë për të tjerët.

E kuptoj se ne shqiptarët e Kosovës nuk kemi qenë gjithëmonë në kontakt me gjuhen zyrtare, që do të thotë gjuhën letrare,dhë në këtë drejtim çalojmë nga pak. Por ,edhe këtë gjuhë që e përdorim besoj se është vërtet e bukur,kurse në Shqipëri thonë se është e fuqishme dhe e natyrshme.

Po ky tipi cfarë gjuhe po flet në këtë program?! Gjuhën standarde jo,toskërisht jo, gëgërisht jo,dialekt apo nëndialekt tjetër jo. Thjesht është mjerim ta dëgjosh . Tallavaja gjuhësore e tij, e përzier me disa fjalë të mësuara anglisht, italisht e aty këtu edhe ndonjë gjuhë tjetër të pakuptueshme, të bën të vjellësh.

Fol shqip,o vëlla,se kështu dukesh më i madh e i respektuar , e mos shit mend me pakë fjalë të huaja të mësuara nga fjalori i xhepit.

Tribuna

Email