Dr. Bajram Rexhepi, një prej bijve të shquar të Kosovës

22 Gushtë 2017 | 15:00

Shkruan: Prof. Dr. Beqir Ismaili,

Dje u nda nga jeta Dr. Bajram Rexhepi,ish kryeministri i Kosovës. Me trishtimin për humbjen e tij, miqtë e dashamirët, shokët, bashkëpunëtorët, njerëzit e thjeshtë të Kosovës e jasht saj,si dhe familja e të afërmit,sikurse dhe shtypi e media në vend, kujtuan punën dhe veprën e tij përkushtuese, figurën e tij njerëzore,morale dhe qytetare.

Jo për t’i dhënë lamtumirën, por për ta ndier pranë tyre, mes tyre,edhe ditën që ai u nda prej tyre..

Prof. Dr. Beqir Ismaili, nga kujtimet e mbresat rreth personalitetit të Dr. Bajram Rexhepi, ka veçuar një artikull të shkruar prej tij në gazetën egjiptiane “Al Hajat” (Jeta), datë 15.08.2004.

Rubrikën e saj “Nga personalitetet e mendmit bashkëkohor shqiptar” kjo gazetë ia kushtoi figures së Dr. Bajram Rexhepit:

“Gjithmonë në shkrimet dhe artikujt tanë mbi Kosovën-thuhet në artikull- përmendim faktin se gjatë gjithë historisë së saj, ka nxjerrë intelektualë të shquar, personalitete e burra shteti, të cilët kanë provuar, me punën e tyre përkushtuese, se janë të aftë të marrin në duart e tyre drejtimin e Kosovës, në të gjitha fushat e zhvillimeve, ekonomike, demokratike shoqërore e politike.

Kosova , aktualisht, i ka të gjitha mundësitë të jetë një Republikë e pavarur dhe statusin e saj ta vendosin vetë kosovarët, pasi edhe në këto vitet e fundit, ata kanë treguar se janë në gjendje t’i përballojnë sfidat e t’i kapërxejnë të gjitha barrierat. Kosova e ka të gjithë potencialin njerëzor për të kryer këtë hop të madh në zhvillimet e saj demokratike: ajo ka kuadro e specialistë, drejtues të sektorëve të ndryshëm të jetës së vendit, që nga mësuesit, mjekët, inxhenjerët, ekonomistët, deri tek politikanët, drejtuesit, diplomatët e burrat e shtetit- për të vënë themelet e shëndoshë të një shteti ligjor, modern, të pavarur e demokratik.
Dr . Bajram Rexhepi është pikërisht një prej bijve të Kosovës kreshnike i cili, falë personalitetit të tij prej gjeniu të vërtetë,ndikoi në përcaktimin e rrugës për të mposhtur vështirësitë dhe për të filluar epokën e re demokratike dhe evropiane, të Kosovës. Dr . Bajram Rexhepi i përket një gjenerate të rrallë veprimtarësh, të cilët dhanë ndihmesën e tyre të çmuar për lirinë, pavarësinë, demokracinë , shkencën , kulturën dhe artin e Kosovës.

Intelektual me peshë dhe autoritet në Kosovë dhe jasht saj, dhe në veçanti, në rolin e kryetarit të Qeverisë së Kosovës, Dr Bajram Rexhepi është impenjuar me të gjitha forcat dhe mundësitë e tij, për të çelur shtigjet e një të ardhmeje më të mirë për popullin e tij, një të ardhmeje me paqe e drejtësi ligjore, me mirqenie e drejtësi shoqërore,me culture dhe qytetëri europiane.

Dr Bajram Rexhepi u lind me 3 qershor te vitit 1954 .

Falë aftësive dhe përvojës së tij, emërohet kryeministri i parë i Kosovës, i njohur zyrtarisht nga ana e Kombeve të Bashkuara . Ky post i lartë zyrtar, plot përgjegjësi dhe vështirësi, iu caktua pas marrëveshjes së arritur midis tri partive më të mëdha politike në vend: midis LDK-së, të cilën e drejton Dr Ibrahim Rugova , PDK – së, në krye të së cilës qëndron Hashim Thaqi dhe AAK- së, të drejtuar nga Ramush Haradinaj .

Caktimi i Dr.Bajram Rexhepit në krye të detyrës së kryeministrit-shkruan Dr.Beqir Ismaili në artikullin e botuar në gazetën egjiptine “Al-Hajat” datë 15.08.2004- u motivua nga pjekuria e tij politike , atdhetaria, dashuria e respekti i tij i thellë për vendin e popullin e tij , për punën dhe përgjegjësitë, të cilave iu përkushtua me pasion e ndërgjegje të lartë qytetare.

Projektet politike, diplomatike e demokratike, të paraqitura nga Dr . Bajram Rexhepi, për nga pesha dhe rëndesia që kanë patur për Kosovën, për njohjen dhe zgjidhjen e problemeve madhore të saj, kanë provuar se ky personalitet e gëzon dhe e meriton përgjegjësinë dhe besimin që iu dha si kryeministër i Kosovës.

Me 4 mars të vitit 2002 Bajram Rexhepi fitoi votebesimin e Parlamentit të Kosovës, për të udhëhequr qeverinë e Kosovës, drejt një faze të re zhvillimesh dhe arritjesh të suksesëshme.

Dr . Bajram Rexhepi është një intelektual i formuar, me kulturë të gjërë dhe me pasione të shumta njerëzore. Nga dyert e Universitetit të Prishtinës( kryeqendër e Kosovës) doli me diplomën e mjekut.Karrierën e nisi në Shtëpinë e Shëndetit, në Mitrovicë Më pas,u specializua në Zagreb të Kroacisë dhe punoi si specialist i kirurgjise së përgjithshme dhe endoskopisë ne spitalin rajonal të Mitrovicës .
Kur serbët sulmuan shqiptarët dhe filloi lufta në Kosovë, Dr. Bajram Rexhepi ishte ndër të parët që u bashkua në rradhët e UÇK – së, duke operuar me duart e tij të arta prej kirurgu, natë e ditë, për shpëtimin e jetëve të luftëtarëve të lirisë.

Nuk është e vështirë të përfytyrohet ndihmesa eDr. Bajram Rexhepit në ato vite tepër të rënda të luftës, ku numri i viktimave të armiqësisë, urrejtjes e genocidit të ushtrisë dhe të forcave paraushtarake serbe, ishte tepër i madh.

Me përfundimin e luftës në Kosovë, Dr. Bajram Rexhepi caktohet prefekt i Mitrovicës , qyteti që u bë “pre’” e tendencave dhe synimeve të serbëve për ndarjen e copëzimin e tij. Falë pjekurisë dhe maturisë së tij politike, prefekti arriti ta mbrojë qytetin dhe të ndalojë gjakderdhjen e trazirat e mëdha shkatërruese ndëretnike- fenomene që ishin verifikuar si pasojë e orvatjeve të serbëve për ndarjen e Mitrovicës.

Ishte dhe përpjekja e tij si prefekt i qytetit martir, në kthimin e qetësisë dhe bashkjetesës midis komuniteteve që jetojnë atje- gjë që provoi edhe një herë rolin dhe aftësitë e tij njerëzore dhe politike, autoritetin e tij, të fituar në bazë të punës dhe shembullit të tij vetjak.

Ky fakt, pati peshë dhe në konsideratën dhe besimin që fitoi Dr. Bajram Rexhepi në arenën ndërkombëtare, si një figurë shembullore për paqen, tolerancën e bashkjetesën midis popujve.

Në zgjedhjet e para lokale të zhvilluara në tetor të vitit 2000, Dr Bajram Rexhepi u zgjodh deputet në Asamblenë Komunale të Mitrovicës, ndërsa në zgjedhjet e vitit 2001, u zgjodh deputet në Kuvendin e Kosovës.

Si kryeministër i Kosovës, këto vite, dha një ndihmesë të pazakontë për popullin e Kosovës, për paqen ,për zhvillimet shoqërore e demokratike, për rivendosjen e besimit dhe të sigurisë së njerëzve për t’u kthyer në trojet e tyre, për të punuar dhe jetuar në harmoni e fqinjësi të mirë.

Si kryeministër i Kosovës,Dr Bajram Rexhepi ka vizituar shumë vende të botës , të kontinenteve të ndryshme. Ka vizituar disa herë edhe Amerikën, në kuadrin e përpjekjeve të përditëshme për forcimin e lidhjeve dhe mardhënieve midis Kosovës dhe shteteve të botës, për të ndihmuar në zhvillimin normal të proçeseve demokratike në Kosovë, për njohjen dhe ndërkombëtarizimin e problemeve të Kosovës në botë, për vendosjen në rend të ditës të kooperimit politik, kulturor , shkencor e ekomomik midis institucioneve të vendit të tij dhe organizmave homologe në botë.

Kësisoj, ai është bërë një figurë e njohur, e respektuar dhe e besueshme edhe në arenën ndërkombëtare.
Dhe përsëri, Dr Bajram Rexhepi, nuk mendon se ka bërë gjithshka për të ardhmen e vendit dhe të popullit të tij. Përkundrazi, gjithë sa ka bërë, përbën vetëm një premisë për veprimtarinë e tij të ardhëshme, gjithnjë në dobi të paqes, mirqenies, demokracisë e shtetit ligjor në Kosovë.”.

Tribuna

Email