Dhjetë hapat urgjentë që duhet të ndërmarrë qeveria në arsim- Albano Zhapaj

13 Prill 2017 | 11:50

Nga Dr. Albano ZHAPAJ

Sot më tepër se kurrë, kur publikisht është kuptuar dhe pranuar dështimi i së arshtuquajturës “Rilindje në Arsim” si pjesë e pandarë e modelit të dështuar qeverisës që solli pushteti i rilindjes, është urgjente të përcaktohen hapat e parë që duhet të ndërmarrë Qeveria e ardhshme Teknike në sistemin arsimor të vendit.

Kriza e thellë politike dhe humbja e moralit qeverisës së mazhorancës aktuale për të vijuar qeverisjen e këtij vendi, duhet të sjellë rrjedhimisht dorëheqjen e qeverisë aktuale dhe ndërmarrjen e hapave konkretë të gjithë faktorëve politikë në ndërtimin e një Qeverie Teknike, e cila përveçse do të punojë për sigurimin e kushteve për zgjedhje të lira e të ndershme, do t`i duhet të përballet edhe me pasojat tragjike që ka lënë pas keq qeverisja aktuale në fushën e arsimit.

Kaosi i krijuar i krijuar në arsim është i dukshëm dhe i prekshëm në çdo institucion arsimor të këtij vendi, nga Vermoshi e deri në Konispol, dhe natyrisht që një Qeveri Teknike sado e aftë që të jetë do ta ketë të vështirë të rikuperojë dëmet e sjella, por të paktën do t`i duhet të ndjekë disa hapa konkretë, të cilat në gjykimin tim dhe të mjaft ekspertëve në arsim, do të duhen të ndërmerren medoemos, për t`i dhënë sistemit arsimor frymëmarrjen e nevojshme për t`u ringritur sadopak.

Llogjika qeverisëse e deritanishme na dha të kuptojmë përfundimisht se qeveria e rilindjes nuk ka pasur kurrë asnjë synim për përmirësimin e arsimit në përgjithësi dhe rritjen e cilësisë dhe zhvillimin e arsimit të lartë në veçanti. Kësisoj mbetet detyrë prioritare e Qeverisë Teknike të ndërmarrë hapa konkretë për t`i hapur rrugë zhvillimit të arsimit, sidomos i atij të lartë.

Hapi i Parë: Të rrisë urgjentisht kuotat e pranimeve në Universitetet Publike, brenda kuadrit dhe hapësirave të tyre fizike. Në këtë mënyrë rriten shanset e të rinjve për t`u shkolluar dhe plotësohet edhe një detyrim kushtetues që shteti ka ndaj arsimimit të qytetarit.

Hapi i Dytë: Të ulë tarifat e studimit në nivele të pranueshme për familjet shqiptare, duke mos i çuar ato më tepër se 20% të kostos së programit të studimit. Të ardhurat e universiteteve publike nuk cenohen nga këto ulje tarifash, pasi do kenë rritje si pasojë e rritjes së numrit të studentëve.

Hapi i Tretë: Pranimet në Universitetet Publike të bëhen nga vetë universiteti publik, ashtu siç e parashikon Ligji i Arsimit të Lartë, dhe jo me “Formular të centralizuar” dhe të dirigjuar nga Ministria e Arsimit. Universitetet të krijojnë portalet e tyre të posaçme online nga ku maturantët të aplikojnë, dhe Ekzekutivi i Arsimit thjesht të koordinojë aplikimin në këto portale. Edhe universitetet private mund të bëjnë të njëjtën gjë, por të mos paralelizohen me universitetet publike, për shkak se shërbimi që ato ofrojnë për të “njëjtin produkt” nuk është me tarifë të ekstremist të ndryshme. Maturantët të zgjedhin vetë nëse duan të shkojnë tek privati, dhe të mos detyrohen nga askush dhe asgjë të aplikojnë me detyrim.

Hapi i Katërt: Të krijohen kushtet për transferimin në universitetet publike të atyre studentëve që kanë shkuar me detyrim në institucionet e arsimit të lartë privat në vitin akademik 2016-2017, dhe që plotësojnë kriteret për të shkuar në degët ku meritojnë, sipas kritereve të universitetit publik përkatës. Në këtë mënyrë i jepet çdo të riu e të reje mundësia të përfitojë nga studimet me tarifë shtetërore, dhe njëkohësisht zbatohet një parim bazë i Marrëveshjes së Bolonjës, ai i transferimit të studimeve.

Hapi i pestë: Të lejojë zbatimin e autonomisë dhe lirisë akademike, institucionale dhe menaxheriale të universietetve publike, duke u dhënë atyre mazhorancën në Bordet e Menaxhimit, si dhe drejtimin e këtyre bordeve natyrisht. Njëkohësisht duhen spastruar Bordet e Administrimit nga militantët dhe arrogantët partiakë të pushtetit, që skanë asnjë lidhje me arsimin, dhe zëvendësuar ato me njerëz seriozë e profesionistë të përgjegjshëm.

Hapi i gjashtë: Të çlirojë zyrat e Ekzekutivit të Arsimit, Drejtorive Rajonale Arsimore, Zyrave Arsimore Rajonale, si dhe Drejtorive të Shkollave të Arsimit Parauniversitar nga individët e paaftë, të teseruarit e partisë pushtet, nga arrogantët, hajdutët dhe gjobvënësit, si hap themelor i frymëmarrjes së munguar në arsimin parauniversitar dhe institucionet menaxhuese të arsimit publik në vend. Në këtë formë jo vetëm fillon e merr jetë zhvillimi i arsimit por edhe eliminohen mundësitë e deformimit të vullnetit të votës së lirë të mësuesve dhe punonjësve teknikë në institucionet arsimore publike.

Hapi i shtatë: Shkollat dhe ambientet e saj t`i kthehen nxënësve, në to të mos lejohen mbledhje apo takime të asnjë grupimi politik, ashtu siç po ndodh rëndom sot në shkollat shqiptare, të cilat janë kthyer në ambiente e zyra të partisë pushtet.

Hapi i tetë: Të ndalohet rreptësishtë ndërprerja e mësimit dhe çuarja e nxënësve nëpër tubimet elektorale të kujtdo subjekti politik. Shenjtëria e institucionit arsimor dhe përgjegjësia e mësimdhënies duhet t`i mbivendosen çdo tentative apo joshjeje nga subjektet politike për pjesëmarrje në tubimet e tyre politike.

Hapi i nëntë: Qeveria Teknike të menaxhojë me përgjegjësi Maturën Shtetërore dhe provimet e saj, duke mos lënë shkas hajdutëve apo mashtruesve të fusin dorë në provimet e shtetit, ku nxjerrja e tezave të provimeve ka rezultuar të ketë dalë më herët se vet provimet dhe është shitur rëndom tek ofertuesi më i mirë.

Hapi i dhjetë: Të ç`bëjë koncesionet e shëmtuara që lidhen me kryerjen e provimit të gjuhës së huaj për maturantët nga agjencitë private, dhe të gjitha ato koncesione që lidhen me tekstet, autorët dhe agjencitë joserioze të prodhimit të tyre. Vetëm kështu fëmijët tanë do të kenë në dorë tekste cilësorë dhe jo të imponuar nga klientët e ish qeverisë pushtet.

Shumëkush do të mendonte se këto janë gjëra që një Qeveri Teknike do ta kishte të vështirë t`i zbatonte në pak muaj jetëgjatësi të saj, por atakush profesionistë seriozë dhe me integritet e dinë fort mirë që janë gjëra që me vullnet të mirë dhe profesionalizëm realizohen dhe me sukses biles, pa më të voglën mëdyshje.

Plagët aktuale nga të cilat lëngon arsimi aktual do të kërkojnë një kohë më të gjatë për t`u shëruar, por në rast se Qeveria Teknike e fillon me këto dhjetë prioritete urgjente, me siguri që do t`i hapë rrugën një procesi zinxhir të ringritjes së arsimit, parauniversitar dhe universitar, duke lënë një bazë të shëndoshë teknike mbi të cilën do të vijojë punën qeveria e re që do të dalë nga vullneti i sovranit.

Tribuna

Email