Me cilin petk do të vishet Vushtrria në zgjedhjet e tetorit?

27 Gushtë 2017 | 14:06

Bindja politike apo përcaktueshmëria qytetare fillon të shfaqet që në hallkën e parë të rregullimit institucional, pasi qytetari më së shumti bashkëjeton me të. Nuk ka ditë që ai mos ta vërejë rolin e këtij pushteti qoftë në aspektin pozitiv a negativ. Dashuria apo urrejtja për të fillon që nga dalja e tij nga shtëpia dhe ecja rrugës së lagjes, sheshit të qytetit e gjerë tek përceptimi i tij në punën e nënpunësve të administratës publike të këtij pushteti. Përgjegjshmëria e këtyre pushteve okale karshi qytetarit nuk ka se si mos të ndikojë në vullnetet elektorale të tyre edhe në zgjedhjet e 22 tetorit, pasi qytetari mishërohet në atë pushtet që e ka afër dhe jeton me të, gjersa rrallë i bie të takohet me pushtetin qendror. Qyteti i mirë. Komuna efektive krijon shtetas të mirë. Opinioni përcaktues i masës i fituar në bazë të performancës së pushteteve lokale është i qëndrueshëm dhe real, pasiqë ai nuk paraqitet të jetë i ndikuar nga komunikimet indirekte. Mendoj që investimet e kryera në Vushtrri brenda mandateve qeverisëse të PDK-së është njëra nga adutet kryesore të cilat kandidatit të kësaj partie për kryetar komune, Ferit Idrizit, do t’i sjellin fitoren në zgjedhjet lokale të tetorit, pasiqë ato investime kanë prekur vet jetën e qytetarit. Në rrugëtimin e tij drejtë fitores, këtij kandidati do t’i duhet promovimi i qeverisjes së mirë, më të përgjegjshme dhe reformatore, duke ditur se edhe objektivat tani ndryshojnë nga e kaluara. Para qytetarëve duhet të dëshmojë se ka vullnet t’u prijë reformave dhe hapur rrugë për të gjithë njerëzit me ndërgjegjie të mirë dhe vizion të qartë për të ardhmen e komunës së tyre. Konsideroj se nga partia e cila vjen ky kandidat, ka mjaftueshëm potencial intelektual e qytetar për të ecur kësaj rruge, porse ai në kohë e rrethana të ndryshme padrejtësisht është mbuluar. Politika sot në menaxhimin e komunës e do mendimin, qetësinë, e do alternativën, debatin, proaktivitetin, kundërshtitë programore, e do argumentin e thënë në vend të zhurmës e britmave, lakmive të shprehura, por edhe veprimeve tjera të njerëzve ziliqarë. Konsideroj se ky do të jetë kursi politik i ndjekur nga Ferit Idrizi, e i cili përkon me reformat në partinë të cilës i përket. Beteja mes VV-së dhe LDK-së që si të dytët të hyjnë në balotazh Në Vushtrri, numri i votuesve të regjistruar në zgjedhjet e fundit nacionale është 71,227, gjersa numri i atyre që kanë votuar është 28,677, nga të cilat PDK me aleat ka 9830 votues. Është interesant fakti se në vet qytetin e Vushtrrisë, nga këto vota të fituara PDK-ja me aleat ka 3547 vota, ndërsa në fshatra 6283 vota. Partia Vetvendosje nga 9979 vota sa ka gjithsejt në këtë komunë, 4975 sosh i ka marrë në vet qytetin. Konsideroj se beteja politike në mes të PDK-së e Vetvendosjes në zgjedhjet lokale do të fokusohet në vet qytetin. Njëra për ta ndryshuar gjendjen e tjetra për ta ruajtur votën e fituar në këto zgjedhje. Konsideroj që VV në zgjedhjet lokale me kandidaturën për kryetar komune nuk e materializoi vullnetin elektoral të shfaqur në këto rezultate dhe tashmë ky elektorat ndjehet disi i tradhtuar. Moskandidimi i ish nënkryetares së Kuvendit të Komunës, Aida Dërgutit në garën për të parën e Komunës ka revoltuar në masë të madhe këtë elektorat të VV në vet qytetin e Vushtrrisë dhe kjo do të ndikojë shumë që të ndryshohet gjendja. Kandidati i propozuar mbase mund të jetë kuadër i mirë, por pak i njohur nga qytetarët për të qenë përfaqësues i tyre. Një gjendje e përafërt është edhe me kandidatin e LDK-së dhe veçmas vështirësitë paraqiten se kandidon nga një parti që me rezultate të zgjedhjeve është dukshëm pas PDK-së e Vetvendosjes. Kandidatët tjerë për të parin e Komunës nga rradhët e AKR-së, AAK-së e të Nismës, përkundër respektit për karakterin e tyre garues, gjasat i kanë të vogla për t’iu afruar balotazhit. Realisht do të ketë një betejë politike në garën zgjedhore për të hyrë në balotazhë në mes të kandidatit të VV, Besim Muzaçit dhe të LDK-së, Xhafer Tahirit. Në këtë përcaktim, rol do të ketë edhe pozicioni se si do të duket qeverisja e Kosovës pas zgjedhjeve nacionale.

Tribuna

Email