(Ç)armatimi bërthamor – dallime mes normativës dhe zhvillimeve në terren

11 Maj 2017 | 14:10

Shkruan: Agron Hoti

Ashtu sikurse më parë, rendi i ri ndërkombëtar vazhdimisht përpiqet që politikat ndërkombëtare t’i trajtojë si një përpjekje të përbashkët për krijimin e një fuqie normative ndërkombëtare, e cila si qëllim parësor do ta kishte zhvillimin dhe mirëmbajtjen e një hierarkie normative dominuese të rendit ndërkombëtar dhe e cila do të krijohej e kultivohej përmes bashkëveprimit të fuqisë, ideve dhe vlerave.

Ky synim ndërkombëtar vazhdon të kërkojë zgjidhjet më të mira, më të zbatueshme dhe më të qëndrueshme për një botë me sa më pak ose mundësisht pa armatim bërthamor. Ndërkohë që mes vullnetit të shteteve dhe veprimit praktik të tyre ka pasur, ka dhe do të ketë mospërputhje mbi përpjekjet e ‘pareshtura’ ndërkombëtare që përmes normativës të mund të futet nën kontroll armatimit bërthamor, të reduktohet e assesi të mos përhapet.

Pra, komuniteti ndërkombëtar që merret me çështje bërthamore vazhdimisht mundohet të adresojë çështjen nëse Azia – aty ku nacionalizmi i theksuar si dhe i kombinuar me dinamikat e hovshme të zhvillimit ekonomik reflektojnë ‘cenim’ të sigurisë së shteteve të këtij kontinenti – mund të angazhohet në angazhime multilaterale të reduktimit dhe mos-përhapjes së armëve bërthamore duke përmirësuar kështu mjedisin e sigurisë rajonale.

Dihet që fuqia dhe parimet ndërveprojnë edhe te politikat bërthamore dhe te Traktati i Mos-Përhapjes së Armëve Bërthamore, i nënshkruar në vitin 1968 dhe i hyrë në fuqi që nga 1970, si ilustrimi më i mirë i cilësdo shtyllë tjetër normative të rendit ndërkombëtar. Në fundin ideal të këtij spektri të polarizuar global, normat kundër armëve bërthamore të përcaktuara në Traktatin e Mos-Përhapjes qenë bërë ligjërisht të obligueshme dhe menjëherë të zbatueshme, ndërkohë që praktika fliste dhe flet ndryshe.

Traktati i Mos-Përhapjes është baza normative e rregullave bërthamore globale për çarmatim, mos-përhapje dhe siguri. Por që duke u bërë lëshime në realitetin politik, nevoja për çarmatim bërthamor nga shtetet me armë bërthamore për fat të keq u zbut aq shumë saqë u bë e pakuptimtë në praktikë. Kështu shpërfaqen dallimet e mëdha mes normativës dhe zhvillimeve në terren.

Kontinenti i Azisë është natyrisht i vetmi kontinent mbi të cilin janë përdorë armët bërthamore. Gjashtë nga nëntë shtetet, të cilat aktualisht kanë armë bërthamore (Franca, Britania e Madhe, SHBA, Kina, India, Rusia, Pakistani, Koreja Veriore dhe Izraeli) gjenden në kontinentin e Azisë. Duke marrë parasysh angazhimin substancial në sigurinë e kontinentit të Azisë, SHBA-të mund të jeni vendi i 7-të bërthamor aziatik, krahas 6 shteteve tjera aziatike me arsenal bërthamor. Rritja e shkëmbimeve tregtare e SHBA-së me ekonomitë në rritje aziatike e bëjnë të domosdoshëm përfshirjen e SHBA-ve në bashkë-dizajnimin e politikave të sigurisë së kësaj pjesë të ‘nxehtë’ të globit.

Dihet tashmë që kontinenti i Azisë përbën qendrën globale të rritjes ekonomike. Kina dhe India janë ndër ekonomitë me rritje më të shpejtë në botë. Përpos Kinës dhe Indisë, p.sh. BPV i shteteve të ASEAN (Association of Southeast Asian Nations) është rritur me 300 përqind mes vitit 2001 dhe 2013. Natyrisht që rritja ekonomike vije bashkë me përhapje dhe përsosmëri të shpejtë të teknologjisë ashtu sikundër që vije me rritjen e volumit të tregtisë, përfshirë produktet dhe teknologjinë e avancuar, për të cilat ky rajon është mjaft konkurrues.

Rritja ekonomike po ashtu e bën Azinë dhe Pacifikun si një transit të madh dhe qendër transporti të ngarkesave detare. Prej 20 porteve detare më të ngarkuara në botë, 10 janë në Azi, prej tyre 7 sosh janë në Kinë, 1 në Singapor, 1 në Kore Jugore dhe 1 në Dubai. Përpos kësaj, portet detare të Emirateve të Bashkuara Arabe, Vietnamit, Indisë, Japonisë, Malajzisë, Indonezisë, Tajlandës, Shri-Lankës dhe Tajvanit janë në top 50-tëshen botërore sa i përket trafikut të kontejnerëve.

Por ajo që nuk duhet harruar është fakti se përpos zhvillimit të theksuar ekonomik kontinenti i Azisë është edhe qendër e fuqisë bërthamore. Ky kontinent aktualisht është duke u përballur me rritjen më të shpejtë në botë të konsumit të energjisë. Ndërkohë që për të përmbushur këto nevoja të energjisë shtetet aziatike janë duke ndërtuar shumë centrale bërthamore. P.sh. Japonia, Korea Jugore, Kina, Tajvani, India, Pakistani dhe Irani tashmë kanë në përdorim centrale bërthamore, ndërkohë që rajoni ka edhe një sërë aspirantësh të energjisë bërthamore. Ky fakt do të thotë që armët bërthamore luajnë rol të rëndësishëm në dinamikat e sigurisë rajonale në kontinentin e Azisë dhe jo vetëm.

Vlen të përmendet që trendet e mos-përhapjes së armëve bërthamore në kontinentin e Azisë përfshirë Lindjen e Mesme (ose Azinë Perëndimore) kanë të bëjnë kryesisht me tre faktorë: 1) dendësia e madhe bërthamore, 2) ekonomitë me rritje të shpejta, dhe 3) mjedisi politik dhe i sigurisë relativisht jostabil. Ndërkohë që nevojat për energji krahas mentalitetit rival rajonal si dhe lakmia për energji dhe teknologji bërthamore janë gjithsesi duke u rritur.

Vendet kontinentit të Azisë, pa marrë parasysh statusin e tyre bërthamor, janë të prekura shumë nga logjika e fuqisë bërthamore (ndoshta duke përjashtuar Azinë Juglindore ku Traktati i Bangkokut për Zonë të Lirë nga armët bërthamore është në fuqi). Lëvizjet e çmendura të Koresë Veriore duke ekspozuar rrezik të drejtpërdrejt për sigurinë e Koresë Jugore dhe Japonisë përmes armëve bërthamore janë shembulli më i keq i synimeve të errëta për zhvillim të armëve bërthamore. Zhvillime të tilla sigurisht që nuk do mbesin pa përgjigje nga Koreja Jugore e Japonia duke rritur shpenzimet ushtarake konform zhvillimeve në rajon. Krijimi i një arkitekture për menaxhim të armëve bërthamore në botë është bërë një detyrë e frikshme për bashkësinë ndërkombëtare. Kjo do të ishte e rëndësishme për dy arsye kryesore:

Së pari, është e nevojshme përballja me kërcënimet e menjëhershme të aktiviteteve të përhapjes së armëve bërthamore nga akterët shtetërorë (Koreja Veriore) e jo shtetërorë (organizata të ndryshme terroriste) dhe terrorizmi bërthamor. Së dyti, arkitektura e menaxhimit bërthamor është parakusht për të ndjekur një botë pa armë bërthamore. Dhe kur kjo të arrihet, do të duhej të kishte instrumente efektive politike dhe teknike për të parandaluar përfundimin e materialeve bërthamore në duar të dyshimta.

Instrumentet politike për parandalimin e përhapjes së armëve, materialeve që mund të përdoren për armë, teknologji dhe për reduktimin e kërcënimeve të terrorizmit bërthamor poashtu përbëjnë bazamentin për procesin e ndjekjes së një bote pa armë bërthamore. Por këto instrumente jo gjithë herë respektohen, siç është shembulli i Kinës e cila ka mbështetur zhvillimin e armëve bërthamore të Pakistanit si dhe qëndrimi i saj i ftohtë ndaj çmendurisë bërthamore të Koresë Veriore si kundërpërgjigje indirekte ndaj dominimit amerikan në rajonin e Azisë Verilindore dhe dominimit Indian në Azinë Jugore.

Rendi ndërkombëtar bërthamor aktual me Traktatin e Mos-Përhapjes si dhe mbrojtësit e Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Atomike, si gurthemel, janë kombinim i një sërë marrëveshjesh multilaterale, regjionale dhe bilaterale ashtu siç ekzistojnë instrumente politike të njëanshme që përfshijnë Traktatin e Përgjithshëm për Ndalimin e Testeve Bërthamore, Grupi Furnizues Bërthamor, si dhe regjime tjera për kontrollin e eksportit, Regjimi i Kontrollit të Teknologjisë Raketore dhe Kodi i Mirësjelljes së Hagës, Iniciativa e Sigurisë së Përhapjes, Rezoluta 1540 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Konventa e ndryshuar mbi Mbrojtjen Fizike të Materialit Bërthamor, Samiti i Sigurisë Bërthamore dhe kështu me radhë. Për të adresuar tipe të ndryshmee të rreziqeve që lidhen me teknologjinë bërthamore dhe aktiviteteve përfshirë përhapjen, terrorizmin bërthamor dhe aksidentet, janë nxjerrë, siç u tha më lartë, një sërë instrumentesh multilaterale ligjore dhe politike.

Për shumicën e instrumenteve multilaterale të mos-përhapjes të arriturit e universalizimit të anëtarësisë dhe/ose të siguruarit e efektivitetit janë sfida të përbashkëta me të cilat ato përballen. Për të mund adresuar këto sfida është e rëndësishme të hulumtohen shkaqet e tyre. Për shumicën e shteteve, vendimet për të hyrë në marrëveshje multilaterale për mos-përhapje dhe çarmatim duhet të bëhen duke u bazuar në përfitimet politike, ekonomike dhe të sigurisë.

Universalizimi i marrëveshjeve multilaterale dhe sforcimi i sigurisë rajonale janë duke u përforcuar reciprokisht. Zhvillimet pozitive në njërën anë mund të sjellin zhvillim pozitiv te anët tjera. Gjithsesi, ana tjetër e medaljes do të thotë që nëse mjedisi i sigurisë rajonale nuk mund të përmirësohet, është e vështirë, në mos e pamundshme që të presim pjesëmarrje ‘efektive’ dhe përputhje të vazhdueshme me angazhimet multilaterale. Gjithsesi që ekzistenca e shqetësimit për përkeqësimin e mjedisit të sigurisë rajonale të Azisë Jugore, Juglindore dhe Verilindore do të kufizonte vullnetin e shteteve për t’u përputhur me normat dhe rregullat e parapara në marrëveshjet ndërkombëtare.

Armatimi bërthamor mund të kufizohet ose ndalet vetëm me angazhim ndërkombëtar politik dhe ligjor brenda një kornizë multilaterale duke elaboruar hapat konkret për reduktimin, apo eventualisht eliminimin e armëve bërthamore. Kjo do të ulte së bashku të gjitha shtetet që kanë armë bërthamore apo atyre që eventualisht synojnë posedimin e tyre. Aktualisht nuk ekziston përafrim mes shteteve për ndonjë kornizë të tillë, nuk ka përafrim as për çështjet që kanë të bëjnë me stabilitetin strategjik e bile-bile përafrimi mungon jo vetëm mes tyre por edhe në aspektin rajonal.

Marrëveshjet multilaterale për mospërhapje të armatimit bërthamor mund të shërbejnë si lehtësuese e sigurisë rajonale ashtu sikurse që mund të shërbejnë edhe si synim për arritjet në mospërhapjen e armëve bërthamore nga shtetet. Përmes organizimit të takimeve të përbashkëta, marrëveshjet multilaterale do të mund të inkurajonin vullnetin e shteteve për të bashkëpunuar në çështjet e rrezikut bërthamor.

Nëse do të nxirrej ndonjë strategji ajo do të duhej të ishte një sinergji mes masave efektive multilaterale për mospërhapje të armëve bërthamore dhe përmirësimit të mjedisit të sigurisë rajonale. Dallimet mes përpjekjeve të mekanizmave ndërkombëtar për të reduktuar dhe mos përhapur armët bërthamore dhe mungesës së vullnetit të shteteve të ndryshme për të vepruar konform rregullave, ka bërë që bota të jetë më e cenueshme ndaj ekspozimit të armëve nukleare si kundërpeshë sigurie ndaj tjetrit.

Agron HOTI

Tribuna

Email