A duhet te votojnë serbet e Kosovës për president te Serbisë?!

16 Mars 2017 | 21:03

Shkruan: Emanuel Demaj

Republika e Kosovës është nga vendet e rralla qe mundëson dy shtetesh për komunitetet e saja. Kjo e drejte i ofrohet me theks te veçante, minoritetit serb në Kosovë.

Por kjo nuk do te thotë se kurdo, kudo dhe kushdo mund te organizoj zgjedhje, kuturu.

Serbia është vetëm njeri nga shtetet fqinje ne Republikës se Kosovës. Nëse nisemi me mentalitetin e organizimit te zgjedhjeve te vendeve fqinje ne territorin tone, i bie qe edhe Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi te organizojnë zgjedhje.

Kështu kalendari zgjedhore do ta përshkonte një vit kalendarik ne tersi. Kosova do te përshkohej nga shkuja (promaja) elektorale e shteteve përreth.

Organizatat ndërkombëtare qe ndihmojnë organizimin e zgjedhjeve, mendoj se tashme duhet te kalojnë ne rolin e vëzhguesit.

Pra OSBE (ODIHR) si ne vende tjera duhet te vëzhgojnë dhe raportojnë për korrektuesin dhe jo te marrin rol te organizatorit “neutral”.

UNMIK-u duhet te rrudhe aktivitetet ne minimum, e mos te flasim për ndërhyrje në kësi lloj organizimesh, sepse nuk mund te konsiderohet si pale, fare. Nëse dikush duhet te kujdeset për qytetaret, atëherë janë institucionet kompetente te Kosovës.

Është obligim dhe përgjegjësi kushtetuese dhe ligjore qe Kosova si shtet i te gjitha komuniteteve te ofroi shërbime dhe aplikim te te drejtave elementare, e që në ketë rast është lehtësimi i se drejtës për votim.

Për hire te se drejtës për deklarim politik, te te drejtës elementare njerëzore, te fqinjësie së mirë, paqes se qëndrueshme ne rajon, serbet e Kosovës duhet lejuar te votojnë, por kandidatet serb për zgjedhjet presidenciale dhe çfarëdo lloj zgjedhjesh për institucionet e Serbisë nuk duhet lejuar të bëjnë fushate në territorin sovran te Republikës se Kosovës.

Kosovaret serb mund te përcjellin fushatat përmes medieve, apo, pse jo, edhe te marrin pjesë në fushata atje, ne Serbi. Por, institucionet e Republikës e Kosovës (konkretisht KQZ) ne bashkëpunim me Zyrën e Serbisë në Prishtinë dhe Zyrën e Kosovës në Beograd mund te identifikojnë pikat zgjedhore ne komunat me shumice serbe.

Kjo është sjellje paqësore institucionale. Jashtë këtij konteksti, aktivitetet duhet te kuptohen si ndërhyrje dhe cenim i sovranitetit shtetërore.

Konsideroj se duhet dhëne përgjigje institucionale çdo forme te irredentizmit dhe patriotizmit agresiv te institucioneve te Serbisë qe po përkrahen nga tentativat gjeopolitike te Rusisë, qe me cdo kusht po përpiqet te vendose primatin ne Ballkan.

Autori është Zëvzëvendësministër i Puneve të Jashtme

Tribuna

Email