​Si ndikon dëmtimi i trurit në fundamentalizmin religjioz?
Lifestyle

​Si ndikon dëmtimi i trurit në fundamentalizmin religjioz?

13 Shtator 2017 | 8:33

Studimet kanë zbuluar se besimet fetare janë të lidhura me pjesë të caktuara të trurit të njeriut, por ka ende për të mësuar se cilat nga këto pjesë ndikojnë në besimin fetar.
Hulumtimi më i ri, i publikuar në revistën “Neuropsychologia”, zbulon se dëmtimi në pjesë të caktuara të trurit mund të ngritin fundamentalizmin religjioz.“Besimet e njerëzve, në këtë rast ato fetare, janë njëra nga dijenitë themelore kognitive dhe shoqërore, të cilat na dallojnë nga llojet e tjera dhe tregojnë se si proceset evolucionit dhe shoqërisë kanë ndikuar në zhvillimin e trurit të njeriut”, tha Jordan Grafman nga Universiteti Northwestern. Grafman dhe kolegët e tij kanë kryer një studim te veteranët e luftës në Vietnam me dëmtime në pjesë të trurit, e cila quhet ventromedial prefrontal cortex. Ata kanë zbuluar se te veteranët e prekur nga dëmtimet në tru paraqitet shkallë më e lartë e fundamentalizmit religjioz. “Gjetjet sugjerojnë se “ndryshimi në natyrën e besimeve fetare udhëhiqet nga zona të caktuara në pjesët më të rëndësishme të trurit njerëzor dhe këto zona janë ndër pjesët më të zhvilluara të trurit njerëzor”, shpjegon Grafman. Studimi i ri ka gjetur se dëmtimi i ventromedial prefrontal cortex, pjesë e trurit, shkakton ngritjen e fundamentalizmit religjioz me ulje të fleksibilitetit kognitiv – aftësi që të azhurnojmë besimet e veta në dritën e fakteve të reja – duke reduktuar hapjen si një tipar personaliteti. Shkencëtarët kanë shqyrtuar 119 veteranë me lëndime traumatike të trurit dhe 30 veteranë të Vietnamit, të cilët nuk kanë histori të lëndimeve të trurit. Grafman paralajmëron se rezultatet e hulumtimit janë të kufizuara. “Për këtë studim, ne kemi rekrutuar veteranë të Vietnamit me ose pa lëndime në tru. Të gjithë ishin burra, amerikanë dhe veteranë të luftës. Kjo e kufizon përgjithësimin te grupet e tjera të njerëzve, duke përfshirë gratë, njerëzit e vendeve të tjera, si dhe njerëzit që vijnë nga kultura me besime fetare të ndryshme”, tha Grafman. “Ne duhet të kuptojmë se si besimet fetare ndryshojnë nga bindjet morale, ligjore, politike dhe ekonomike në përfaqësimet e tyre në tru, në natyrën e konvertimit nga një sistem besimi në tjetrin, dallimin midis besimit dhe veprimit, si dhe natyrën e thellësisë së dijes që përdorin individët në afrimin dhe shpjegimin e besimeve të tyre”, ka shtuar ai. Hulumtimi i ri ndihmon në sqarimin e lidhjes midis funksionit të trurit dhe besimeve fetare. Por ka shumë faktorë të tjerë fiziologjikë dhe psikologjikë që kërkojnë studime të mëtejshme. “Derisa besimet fetare dhe të tjera mund të studiohen në mënyrë selektive dhe të pavarur nga proceset e tjera njohëse dhe shoqërore, varësia e tyre nga ndërveprimi me funksione të tjera të trurit do të jetë një fushë e rëndësishme e kërkimit në dekadat e ardhshme. Siç thonë ata, ‘Djalli është në detaje,'” ka thënë Grafman.

Më të lexuarat

Tribuna

Email