Zyrtari i NISMA’s: Ta rrëzojmë Qeverinë e ndërtuar në pabesi e mosbesim
Lajme

Zyrtari i NISMA’s: Ta rrëzojmë Qeverinë e ndërtuar në pabesi e mosbesim

15 Prill 2017 | 11:16

Ish-zyrtari i PDK’së, Bilall Sherifi, aktualisht udhëheqës në NISMA për Kosovën, ka thënë se Qeveria PDK-LDK duhet të largohet sa më shpejt që të rrëzohet Qeveria e ndërtuar në mosbesim e pabesi.

“Për këto dhe shumë arsye tjera, tani është koha që të gjithë ata deputet, qoftë nga mazhoranca qoftë nga opozita, të cilët për çfarëdo arsye kanë qenë dhe janë kundër këtij koalicioni, përmes Mocionit të Mosbesimit ndaj qeverisë në Kuvendin e Republikës, t’i japin fund këtij modeli të qeverisjes me MOSBESIM dhe PABESI!”, ka shkruar Sherifi, në FB.

Sherifi, duke e komentuar nisjen e mocionit të cilën e ka iniciuar subjekti i tij, thotë se përmes këtij mocioni është mundësia që t’i jepet fund modelit qeverisës siç e quan ai qeverisës “Triumviratian” PDK-LDK-LS”.

Sherifi thotë se për tre vite me radhë vendi është udhëhequr nga një qeveri partnerët e së cilës nuk i kanë besuar asnjëherë njëri tjetrit ndërsa siç u shpreh ai, në anën tjetër kërkojnë nga populli t’ju besojë atyre sërish, shkruan Express.

NISMA për Kosovën ka nisur të marrë nënshkrimet për mocionin për rrëzimin e Qeverisë së Kosovës. Këtë iniciativë e kanë përkrahur edhe disa deputetë të PDK’së derisa është paralajmëruar se edhe deputetë të pavarur do të japin nënshkrimet për rrëzimin e Qeverisë.

Ndërkohë, largimin e kësaj Qeverie e ka paralajmëruar edhe Isa Mustafa. Kryeministri ka thënë se nëse dështon ratifikimi i demarkacionit atëherë mbetet opsioni i zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Të njëjtën e ka thënë edhe Kryetari i PDK’së, Kadri Veseli. Ky i fundit ka thënë se humbet arsye e vazhdimit të koalicionit me LDK’në nëse Parlamenti s’mund të marrë vendime strategjike për Kosovën.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka dështuar për dy vite të marrë vendim për ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin./GazetaExpress/

Postimi i plotë i Bilall Sherifit:

MOCIONI I MOSBESIMIT si mundësi për t’i dhënë fund modelit qeverisës “Triumviratian” PDK-LDK-LS!

Për vite të tëra akuzuan njëra tjetrën për të gjitha të këqijat që kanë ndodhur para dhe pas luftës në këtë vend. Nuk lanë epitete pa i vënë njëra tjetrës. Përderisa njëra akuzonte tjetrën për tradhti kombëtare, tjetra ia kthente me akuza po aq të rënda, për vrasje të aktivistëve të tyre politik, për kapjen dhe kriminalizimin e shtetit e për çka jo tjetër.

Përkundër të gjitha këtyre akuzave që i bënin në adresë të njëra tjetrës, pas një drame pothuajse 6 mujore për formimin e qeverisë pas zgjedhjeve të fundit, PDK dhe LDK nga dhjetori i vitit 2014 hynë përsëri në koalicion qeverisës. Sikurse ato të mëparshmet, as qeverisja aktuale tre vjeçare mes tyre nuk arriti as t’i zbusë se lëre më t’i eliminojë kundërthëniet dhe akuzat që i kanë përcjellë këto dy parti që nga fillimi e deri më sot. Kjo gjë u pa sapo filloi të fryjë era e zgjedhjeve sepse bashkë me te u rikthyen edhe temat e vjetra si tradhtia dhe vrasjet.

Kjo qeveri që nga formimi i saj më shumë ka funksionuar si një “Triumvirat” i PDK-LDK-LS-së, se sa sikur një qeveri unike. Këtë e dëshmon lufta e pandërprerë që kanë zhvilluar “partnerët” e koalicionit kundër njëra tjetrës për t’i vendosur njerëzit e tyre në pozita të rëndësishme në ndërmarrjet publike si në PTK, RTK, si dhe në shumë pozita tjera të rëndësishme shtetërore si në doganë, administratë tatimore, borde të institucioneve të pavarura etj. Kur bëhej fjalë për mbrojtjen e interesave partiake ishin luftarak dhe të pa kompromis ndaj njëra tjetrës por jo edhe kur ishte fjala për të mbrojtur interesat e vendit kundër veprimeve të vazhdueshme të Serbisë kundër shtetit të Kosovës.

Isa Mustafa vetëm në aspektin formal ishte kryeministër i qeverisë ndërsa kryeministër real ka qenë vetëm për ministrat e partisë së tij atyre të LDK-së. Ministrat e PDK-së shef gjithnjë e kanë pasur dhe e kanë kryetarin partisë së tyre. Për ministrat e Listës Serbe nuk kemi as çka të flasim, ata në vazhdimësi kanë deklaruar hapur se kryeministër i tyre është kryeministri i Serbisë Akeksandër Vuçiqi. Objektivë e tyre ishte dhe vazhdon të jetë pengimi shtetit të Kosovës dhe forcimi i shtetit të Serbisë brenda territorit të Kosovës, në veçanti në pjesën veriore të vendit.

Mosbesimi total, deri në pabesi ndaj njëra tjetrës, janë fjalët e vetme që i shpjegojnë marrëdhëniet e “partnerëve” të këtij koalicioni. Për tre vite qeverisje nuk kanë arritur ta prodhojnë asnjë rezultat pozitiv. Por e njëjta nuk vlen kur bëhet fjalë për rezultatet negative të tyre. Të tilla kemi mjaft. Duke filluar nga ikja e mbi njëqindmijë të rinjve nga Kosova në drejtim të vendeve të Bashkimit Evropian, themelimi i Gjykatës Speciale, nënshkrimi i dy marrëveshjeve të dëmshme për sovranitetin dhe integritetin e vendit, atë për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe me Serbinë dhe marrëveshjen për shënimin e kufirit me Malin e Zi. Dhe, në vend se të mbajnë përgjegjësi për të gjitha keto rezultate negative, kanë filluar të akuzojnë njëri tjetrin dhe të gjithë të tjerët për dështimet e tyre. Madje, kanë zbritur sërish në popull për të kërkuar edhe njëherë besimin e tij. Thuajse deri më tani nuk ishin ata që e kanë qeverisur vendin!

Në fund, për tre vite me radhë vendi është udhëhequr nga një qeveri partnerët e së cilës nuk i kanë besuar asnjëherë njëri tjetrit ndërsa në anën tjetër kërkojnë nga populli t’ju besojë atyre sërish.

Për tre vite me radhë vendi është udhëhequr nga një qeveri për të cilën pas çdo matje të opinionit publik ka rezultuar se mbi 80% e qytetarëve nuk i besojnë kësaj qeverie!

Për këto dhe shumë arsye tjera, tani është koha që të gjithë ata deputet, qoftë nga mazhoranca qoftë nga opozita, të cilët për çfarëdo arsye kanë qenë dhe janë kundër këtij koalicioni, përmes Mocionit të Mosbesimit ndaj qeverisë në Kuvendin e Republikës, t’i japin fund këtij modeli të qeverisjes me MOSBESIM dhe PABESI!

Më të lexuarat

Tribuna

Email