Zeka: Do ta luftojmë emigrimin e parregullt
Lajme

Zeka: Do ta luftojmë emigrimin e parregullt

14 Nëndor 2017 | 14:54

Ministria e Punëve të Brendshme përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se me mbështetjen e projektit të binjakëzimit të financuar nga BE-ja: “Fuqizimi i institucioneve të Kosovës, në menaxhimin efektiv të migrimit”, ka filluar me mbajtjen e takimeve në kuadër të fushatës të vetëdijesimit për parandalimin e migrimit të parregullt.

Me këtë rast, zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka, ka vizituar qytetin e Prizrenit dhe të Gjakovës, ku ka mbajtur ligjëratë para banorëve të interesuar.

Gjatë këtyre takimeve me qytetarët, zëvendësministri Zeka ka bërë të ditur se duke u kujdesur për plotësimin e kritereve për liberalizimin e vizave dhe në kuadër të agjendës për integrim Evropian, Republika e Kosovës ka ndërmarrë reforma të shumta për harmonizim të legjislacionit, të dokumenteve strategjike dhe fushave që ndërlidhen me menaxhimin e emigrimit të parregullt, si dhe hapat konkret për promovimin e emigrimit të rregullt.

“Duke u bazuar edhe në statistikat e Eurostat-it, del se Kosova ka bërë një progres të madh për parandalimin e emigrimit të parregullt falë angazhimeve të institucioneve tona”, tha Zeka.

Në cilësinë e Koordinatorit Nacional për Migrim, zëvendësministri Zeka u zotua se në baza të rregullta do të monitorohet dhe të zbatohen politikat për luftimin e emigrimit të parregullt si dhe të promovohet emigrimi i rregullt për qytetarët.

Ky projekt, financohet nga Bashkimi Evropian, ndërsa implementohet nga Holanda si partner kryesor dhe nga Austria e Suedia si partner mbështetës, në partneritet me Ministrinë e Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, respektivisht me Departamentin për Shtetësi Azil dhe Migrim.

Më të lexuarat

Tribuna

Email