Wolker përkrahë Vetëvendosjen edhe sa i përket demarkacionit me Malin e Zi
Lajme

Wolker përkrahë Vetëvendosjen edhe sa i përket demarkacionit me Malin e Zi

14 Maj 2017 | 12:35

Legjislatura e pestë e Kuvendit të Kosovës nuk arriti të miratojë Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, gjë e cila ishte edhe parakusht për liberalizim të vizave.
Mirëpo, miku i madh i Kosovës, William Walker, thotë se Bashkësia Ndërkombëtare duhet t’i kushtojë më shumë vëmendje kufirit Kosovë-Serbi, sesa atij me Malin e Zi.
Ai ka thënë për Ekonomia Online se për çështjen e Demarkacionit udhëheqësit politikë duhet ta dëgjojnë zërin e qytetarëve, e jo të Bashkësisë Ndërkombëtare.

“Bashkësia Ndërkombëtare nuk dëshiron ndryshim të kufijve dhe kjo është gjë e mirë, por atëherë do të dëshiroja që ata t’i kushtojnë më shumë vëmendje kufirit në mes të Serbisë dhe Kosovës në vend të kufirit me Malin e Zi. Unë nuk e kam studiuar problemin e kufirit, se kush ka të drejtë e kush jo, por për mendimin tim ky duhet të jetë vendim i popullit të Kosovës, dhe udhëheqësit politikë duhet ta dëgjojnë zërin e popullit, e jo të bashkësisë ndërkombëtare”, ka thënë Walker.

Ndërsa, për liberalizimit të vizave, ai ka thënë se fakti që kosovarët ende duhet të marrin viza për të udhëtuar jashtë vendi është gjë e pakuptimtë.

Walker ka folur edhe për klasën politike në vend, duke u shprehur i zhgënjyer me rezultatet e qeverisjes në Kosovë që nga shpallja e pavarësisë.

“Më kujtohet viti 2008 kur u shpall pavarësia dhe unë isha në këtë rrugë. Secili në Kosovë po festonte, dhe shpresat ishin aq të mëdha për pavarësinë, e cila kishte ardhur pas pritjes dhe lutjeve për vite të tëra. Nuk më pëlqen ta them, por nuk besoj që ato pritje janë realizuar. E di që progresi merr kohë, por unë kam shpresuar për progres shumë më të madh në një Kosovë demokratike dhe anëtare të plotë të familjes evropiane”, është shprehur ai.

Për mungesë të këtij progresi, ai e fajëson klasën politike që ka qeverisur me vendin, si dhe bashkësinë ndërkombëtare, ndërsa popullin e Kosovës nuk e bën fajtor për këtë ngecje, pasi që siç thotë ai, njerëzit në Kosovë janë punëtorë dhe ndërmarrës, dhe janë të gatshëm që të punojnë për të mirën e vendit, por që për arsye të ndryshme kjo u pamundësohet.

“Ju keni këshilltarë të huaj të cilët u tregojnë se çka duhet të bëni për të shkuar drejt Bashkimit Evropian, dhe mendoj që në këtë drejtim po bëhen shumë gabime. Kurse shumica e udhëheqësve politikë në këto 10 vitet e fundit, me sa duket kanë hyrë në politikë për arsyet e gabuara: për përfitime personale, të familjes dhe klanit të tyre, dhe jo për të mirën e Kosovës”, ka thënë Walker.

Më të lexuarat

Tribuna

Email