Udhëheqësit e Ipeshkvisë thonë se s’ka pas vend për frikë pavarësisht masave të sigurisë
Lajme

Udhëheqësit e Ipeshkvisë thonë se s’ka pas vend për frikë pavarësisht masave të sigurisë

16 Prill 2017 | 14:58

Autoritetet e sigurisë në Kosovë ditë më parë u alarmuan nga disa kërcënime që po konsiderohen serioze për organizimin e sulmeve terroriste, në prag të festës së Pashkëve. Udhëheqësit e meshës së Pashkëve gjatë ceremonisë të mbajtur të dielën,thanë se kjo festë u prit me gëzim nga komuniteti i krishterë dhe se nuk pati vend për frikë e panik pavarësisht raportimeve të fundit për sulme të mundshme.
Për këtë festë dhjetëra qytetarë morën pjesë në meshën e ditës së Pashkëve në Katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë, që për mesazh ka pasur paqen në mes njerëzve.

Don Fatmir Koliqi, i cili e udhëhoqi meshën e ditës së Pashkëve, tha se mesazhi që këtë vit Ipeshkvi i Kosovës ka zgjedhur është po i njëjti me mesazhin e parë të cilin Jezusi iu sjellë apostujve ‘paqja me ju’.

Ndërkohë që jashtë katedrales ku u mbajt mesha e ditës së Pashkëve, janë parë forca të shtuara të Policisë së Kosovës, por që sipas Don Fatmir Koliqi, janë vetëm masa që merren kur ka tubime të mëdha, por që nuk ka pasur kurrfarë shqetësimi tjetër.

“Ju e patë që nuk kam qenë aspak i frikësuar, as besimtarët nuk kanë qenë të frikësuar, sigurisht që e gjitha këto që i keni parë ju jashtë janë masa që merren kur ka tubime të mëdha, që të jetë rendi, por nuk ka pasur kurrfarë frike dhe shqetësimi. Gjithmonë lajmet mediatike kanë impakt psikologjik tek njerëzit, por nuk ka pasur asgjë që na frikëson neve, pikërisht me gëzim dhe me plot hare i kemi festuar së bashku”, tha ai

Më të lexuarat

Tribuna

Email