Sabit Berisha lirohet nga paraburgimi
Lajme

Sabit Berisha lirohet nga paraburgimi

11 Korrik 2017 | 19:22

I pandehuri Sabit Berisha të cilit sipas aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda i ishte caktuar masa e paraburgimit me datë 26.05.2017 si i dyshuar për veprat penale “Vrasje e përfaqësuesve të lartë të Republikës së Kosovës” dhe “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës” është liruar nga po kjo e njëjta masë.
Këtë e ka konfirmuar  avokati i të pandehurit, Nikë Shala.

Shala ka thënë se gjyqtari i procedurës paraprake i Gjykatës Themelore Departamenti për Krime të Rënda ka marrë aktvendim që të pandehurit Sabit Berisha t’i zëvendësohet masa e paraburgimit me masën paraqitje në stacion policor.

Pala mbrojtëse kishte kërkuar që klientit të tij t’i ndërpritet masa e paraburgimit dhe t’i zëvendësohet me ndonjë masë më të butë alternative pasi që sipas tij, arsyet mbi të cilat është caktuar dhe vazhduar paraburgimi ndaj klientit të tij kanë pushuar, dhe i ka propozuar prokurorit që të jep pëlqim gjyqtarit të procedurës paraprake për ndryshimin e masës për sigurimin e pranisë së të pandehurit në procedurë penale.

Gjykata Themelore në Prishtinë kishte caktuar masën e paraburgimit për Sabit Berishën pasi që i njëjti dyshohej se është anëtar i organizatës “Syri i Popullit” dhe se i njëjti ka ndihmuar në organizimin në sulmet ndaj zyrtarëve të lartë shtetërorë.

Më të lexuarat

Tribuna

Email