Rasti ‘Toka’ ku i akuzuar është edhe Azem Syla, mund të kthehet në pikën zero
Lajme

Rasti ‘Toka’ ku i akuzuar është edhe Azem Syla, mund të kthehet në pikën zero

18 Janar 2018 | 20:22

Të paktën përkohësisht, EULEX-i e ka shpëtuar nga kthimi në pikën 0 rastin ‘Toka’.

 Pas avancimit të gjyqtares Nora Bllaca në Gjykatën e Apelit, trupi gjykues mbeti pa gjyqtarë, që kishin qenë pjesë e panelit në seancat e mundësisë hetuese të veçantë, raporton KTV.

Për t’i ikur përsëritjes së procesit, misioni evropian për sundimin e ligjit ka caktuar gjyqtarin Vladimir Mikula, që gjithashtu është në listën e gjyqtarëve të Gjykatës Speciale.

Një gjë të tillë, EULEX-i ia ka konfirmuar ‘Kohës Ditore’. Të pyetur nëse ekziston mundësia e përsëritjes së procedurave të deritashme, misioni evropian nuk e ka konfirmuar e as mohuar një gjë të tillë.

Gjatë 13 seancave të mundësisë së hetimit të veçantë, të zhvilluara në fundin e vitit 2016, kishin dëshmuar 2 dëshmitarë të mbrojtur të prokurorisë.

Ndërsa avokati Tomë Gashi vë në dyshim vendimin e EULEX-it që të emërojë në panel një gjyqtar që është gjithashtu pjesë e Gjykatës Speciale.

EULEX-i fillimisht kishte kërkuar nga Këshilli Gjyqësor kthimin e gjyqtares Bllaca në panel, kërkesë nga e cila ishin tërhequr pa ndonjë arsyetim konkret.

Gjykata Themelore e Prishtinës në vend të gjyqtares Bllaca ka caktuar gjyqtarin Vesel Ismajli, ndërsa krahas gjyqtarit Mikula, është edhe gjyqtari Arcadius Sedek. Disa prej seancave të caktuara për rastin “Toka”, ku përveç Azem Sylës, gjykohen edhe 38 persona të tjerë për krim të organizuar, ishin anuluar në pritje të kompletimit të trupit gjykues.

Më të lexuarat

Tribuna

Email