Programi Botëror i Ushqimit: Afër 4 milionë persona përballen me uri në Kongo
Lajme

Programi Botëror i Ushqimit: Afër 4 milionë persona përballen me uri në Kongo

07 Dhjetor 2017 | 16:09

Përgjegjësi i WFP-së në RD të Kongos, në një konferencë për shtyp, deklaroi se 3,8 milionë njerëz përballen me uri si pasojë e ngjarjeve të dhunshme në rajonin Kasai që nga gushti i vitit 2016.

Programi Botëror i Ushqimit (WFP) i Kombeve të Bashkuara bëri të ditur se për të zgjidhur problemin e urisë në Republikën Demokratike të Kongos nevojiten 130 milionë dollarë, raporton Anadolu Agency (AA).

Përgjegjësi i WFP-së në RD të Kongos, Claude Jibidar, në një konferencë për shtyp në kryeqytetin Kinshasa, deklaroi se 3,8 milionë njerëz përballen me uri si pasojë e ngjarjeve të dhunshme në rajonin Kasai që nga gushti i vitit 2016.

Jibidar theksoi se për përfundimin e krizës së urisë në Kasai, deri në muajin korrik duhet të sigurohen 130 milionë dollarë dhe shtoi se donatorët janë lodhur nga krizat e njëpasnjëshme.

Muajin e kaluar, drejtori i përgjithshëm i WFP-së, David Beasley, paralajmëroi se në rast se në gashtë muajt e ardhshëm nuk intervenohet në mënyrë urgjente, 600 mijë fëmijë mund të vdesin nga uria.

Kriza ushqimore në këtë vend shpërtheu si pasojë e luftimeve të cilat pamundësuan aktivitetet bujqësore të popullatës.

Ndryshe, anëtarët e grupit të armatosur Kamuina Nsapu, herë pas here organizojnë sulme në pjesën qendrore të shtetit në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e liderit të tyre nga ana e policisë në gusht të vitit të kaluar. Grupi i armatosur mban përgjegjësi për qindra vdekje në rajon.

Më të lexuarat

Tribuna

Email