Në zgjedhje mund të kandidojnë edhe persona me të kaluar kriminale
Lajme

Në zgjedhje mund të kandidojnë edhe persona me të kaluar kriminale

13 Maj 2017 | 19:43

Persona të dyshuar për korrupsion dhe krime, si dhe ata nën hetime dhe me akuza nëpër gjykata, mund të jenë sërish nëpër listat zgjedhore të partive politike.

Mungesa e një ligji apo kodi të mirësjelljes, përmes së cilit do të pranoheshin rregullat e reja për pjesëmarrje në zgjedhje, bën që partitë politike të vendosin vetë nëse në lista do t’i përfshijnë edhe personat nën hetime apo edhe ata me të kaluar kriminale.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, tha për Radion Evropa e Lirë se në listat zgjedhore nuk mund të përfshihen personat që janë shpallur fajtor me vendim përfundimtar të gjykatës këto tre vjetët e fundit. Ndërkaq, për personat tjerë, ajo tha se mbetet te partitë politike që të vendosin, pasi që ligji nuk parasheh ndalesa tjera.

“Ata që janë shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës këto tri vitet e fundit, nuk mund të jenë kandidat në lista, ndërkaq të tjerët të cilët kanë aktakuza të ngritura mund të jenë kandidat, por është çështje tjetër sa partitë politike e konsiderojnë atë morale dhe sa e konsiderojnë të përshtatshme”, theksoi Valdete Daka.

Betim Musliu nga Instituti për Drejtësi tha për Radion Evropa e Lirë se mundësia që në zgjedhje të garojnë edhe njerëz nën hetime apo me procese të hapura gjyqësore, është tregues se Kosova ende nuk do të jetë në atë shkallë të zhvillimit që të ndërtojë institucione me njerëz me të kaluar të pastër.

“Është fatkeqësi e madhe që sërish individë, të cilët kanë probleme me ligjin, në këtë rast që janë në procedura hetimore, apo kanë aktakuza të ngritura ose janë të dënuar në disa shkallë, të kenë mundësinë që të jenë pjesë e listave dhe të bëhen pjesë e qeverisjes së ardhshme”.

“Ky është një tregues që shpresat për të pasur një qeverisje më të mirë janë të zbehta po qe se partitë politike do të vendosin që kandidatët me të kaluar kriminale t’i vendosin në lista zgjedhore dhe me ta të ndërtojnë qeverinë”, thotë Betim Musliu.

Zgjedhjet e parakohshme, pamundësuan hartimin dhe miratimin e një kodi, i cili ishte prezantuar nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, përmes së cilit, pretendohej se do t’u ndalohej pjesëmarrja në zgjedhje dhe puna në institucionet e shtetit të gjithë personave që kanë lëndë të hapura nëpër gjykata.

Institucionet e Kosovës nuk duhet të kenë poste për njerëz nën hetime, kishte deklaruar presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

“Unë do të propozoj një kod për dekriminalizimin e politikës, ku asnjë kandidat nuk do të jetë në listat zgjedhore për deputet, nëse ai ka çfarëdo lloj aktakuze. Kjo do ta rriste cilësinë dhe nivelin e Kuvendit të Republikës së Kosovës”, kishte deklaruar Thaçi.

Por, nisma e Thaçit, sipas Betim Musliut, ishte e gabuar që nga fillimi. Sipas tij, kjo çështje nuk mund të rregullohet me Kodin Penal, por me një Kod të Mirësjelljes, i cili do të pranohej nga të gjitha subjektet pjesëmarrëse në zgjedhje.

“Një çështje e tillë do të mund të rregullohej përmes një ligji të veçantë apo më së miri do të ishte që të rregullohej përmes një Kodi të Mirësjelljes që do të nënshkruhej nga vetë partitë politike dhe të cilat do të parandalonin në njëfarë forme që individë të tillë të jenë pjesë e listave dhe qeverisjes”, vlerëson Musliu.

Gjatë të gjitha mandateve paraprake, deputetë të Kuvendit të Kosovës, ministra të Qeverisë dhe poste nën-ministrore e deri te përfaqësuesit e institucioneve në nivelin lokal, janë ballafaquar në vazhdimësi me aktakuza, gjykime dhe ndjekje penale.

Pavarësisht thirrjeve që u janë bërë nga diplomatë ndërkombëtar dhe përfaqësues të shoqërisë civile, partitë politike në zgjedhjet e kaluara patën garuar edhe me kandidat nën hetime, duke pretenduar se askush nuk është i fajshëm, përderisa nuk ka një vendim të prerë nga gjykata.

Më të lexuarat

Tribuna

Email