Maliqi: S’ka zgjedhje, situata mund të zhbllokohet me prishje të koalicioneve aktuale
Lajme

Maliqi: S’ka zgjedhje, situata mund të zhbllokohet me prishje të koalicioneve aktuale

07 Gushtë 2017 | 17:42

Përveç një takimi këshillues që është caktuar për të mërkurën dhe caktimit të datës për vazhdimin e seancës më 10 gusht, nuk është parë ndonjë iniciativë tjetër nga askush, për të gjetur zgjidhje për zhbllokimin e krijimit të institucioneve.
Deri sa vazhdojnë mosmarrëveshjet mes partive politike, që nuk bien dakord të zgjedhin kryetarin e ri të organit ligjvënës, analistët politikë mendojnë se Presidenti i vendit është ai i cili duhet të marrë nismën për gjetjen e një zgjidhjeje.

Analisti tjetër politik, Shkëlzen Maliqi, thotë se nga ajo që shihet në Kuvendin e Kosovës, bllokues të proceseve janë të gjitha partitë politike, derisa vendosin kushte dhe nuk lëshojnë pe.

Maliqi tha për Radion Evropa e Lirë, se meqenëse ka vonesa e bllokime në formimin e institucioneve të reja, duhet të ketë dialog ndërmjet partive politike. Edhe ai mendon se për të mos hyrë në një krizë të thellë politike, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, duhet t’i ftojë partitë politike për të biseduar.

“Iniciativën duhet ta marrë ndoshta Presidenti, që të zhvillojë konsultime dhe ta përshpejtojë procesin, sepse nuk ka më kuptim të vonohen ose të kushtëzohen këto dy procese [konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë]”, vlerëson Maliqi.

Derisa e përjashton mundësinë e zgjedhjeve si një opsion për të dalë nga kjo gjendje, analisti Maliqi thotë se tani edhe mund të ndodhë që koalicionet parazgjedhore të mos jenë ashtu siç kanë qenë deri më tash.

“Është edhe një mundësi tjetër që të shpartallohen këto konfiguracionet parazgjedhore, të kemi një lëvizje të lirë që disa subjekte të ndahen prej koalicioneve paraprake dhe të negociojnë ndërmjet vete, ndoshta mundet që ndonjë konfiguracion tjetër të japë ose ta bëjë Qeverinë”, konsideron Maliqi.

Pas pothuajse dy muajsh që prej mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë, Kuvendi më 3 gusht nisi seancën konstituive. Në mungesë të deputetëve të koalicionit PAN është shtyrë konstituimi i Kuvendit, pasi në seance nuk janë paraqitur deputetët e këtij koalicioni.

Më të lexuarat

Tribuna

Email