Kryetari i Mitrovicës së Veriut keqpërdorë qindra mijëra euro të Fondit për Veriun
Lajme

Kryetari i Mitrovicës së Veriut keqpërdorë qindra mijëra euro të Fondit për Veriun

17 Mars 2017 | 11:14

Afër 400 mijë euro të Fondit për Veriun dyshohet se janë keqpërdorur nga autoritetet komunale të Mitrovicës së Veriut. Paratë e këtij fondi, të dedikuara për investime kapitale, janë shpenzuar për qëllime tjera. Po ashtu, kryetari Goran Rakiq, në kundërshtim me ligjin për buxhet, ia ka transferuar mbi 115 mijë euro paradhënie kontraktorit privat.
Goran Rakiq, kryetar i Komunës të Mitrovicës së Veriut, dyshohet se ia ka transferuar kundërligjshëm një organizate joqeveritare një shumë prej 115 mijë e 853 eurosh.

Kjo shumë i është transferuar si paradhënie organizatës RDA North, e udhëhequr nga Rreze Duli, menjëherë pasi fitoi tenderin e emërtuar “Mbështetje për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme”, në korrik të vitit 2016.

Ky veprim i Rakiqit është kritikuar nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm. Është cilësuar si shkelje e ligjit për buxhetin e vitit 2016. Konkludimi i auditorëve është publikuar në shkurt, në raportin e auditimit për fondin zhvillimor të veriut.

Kontrata me organizatën RDA North është lidhur më 18 korrik 2016, në vlerë prej 399 mijë e 490 eurosh.

Ligji për buxhetin e vitit 2016 lejon autoritetet komunale dhe qendrore që kompanisë fituese të tenderit t’ia japin si paradhënie (avans) vetëm 15 për qind të shumës së përgjithshme.

Në rastin e kësaj kontrate, është dashur që Mitrovica e Veriut t’ia transferojë kësaj organizate vetëm 59 mijë 923 euro.

Por, vendimi i kryetarit Rakiq e tejkalon këtë shumë. Tejkalimi kap vlerën e mbi 115 mijë eurove apo 29 për qind më shumë sesa që është e lejuar. Vendimi i tij ka bërë që kësaj organizate t’i transferohen 175 mijë e 776 euro, e cila është 44 për qind e vlerës totale të kontratës.

“Sipas zyrtarëve përgjegjës kjo paradhënie është bërë për realizimin e fazës fillestare duke u bazuar në kërkesën e BE-së dhe me Vendimin e Kryetarit të Komunës”, thuhet në raportin e auditimit.

Afër 400 mijë euro të shpenzuara në kundërshtim me parimet e themelimit të Fondit për Veriun

Përveç kësaj shkeljeje me dhënien e avancit në kundërshtim me ligjin e buxhetit, autoritetet komunale të Mitrovicës së Veriut kanë ndërmarrë edhe dy veprime tjera të dyshimta.

Autoritetet komunale kanë ekzekutuar pagesa për kontraktorin privat, para se të pranonin raport për kryerjen e punëve. Kjo nuk është e lejuar ligjërisht, sipas auditorëve.

“Raportimi për punën e kryer në kohën kur është bërë ekzekutimi i pagesës ka munguar, mirëpo nё fazën e më vonshme ne kemi pranuar dy raporte për punët e kryera të cilat ishin përpiluar në muajt tetor-nëntor 2016”, theksohet në këtë raport.

Po ashtu, zyrtarët komunalë i kanë regjistruar këto shpenzime si investime kapitale dhe i kanë tërhequr paratë nga fondi për veriun, i dedikuar vetëm për investime kapitale.

Ndërkaq, natyra e projektit “Mbështetje për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme”, sipas auditorëve, obligon autoritetet komunale që t’i regjistrojnë shpenzimet tek kategoria buxhetore “Mallra e Shërbime” e jo tek kategoria “Investime Kapitale”.

“Në Komunën e Mitrovicës Veriore projekti në vlerë prej 399,490€, “Mbështetje për Ndërmarrjet e Vogla dhe tё Mesme (më tutje NVM)” është klasifikuar si buxhet nё kategorinë e Investimeve kapitale (KE 33200). Po ashtu, pagesa për këtë projekt nё vlerё prej 175,776€ apo 44% e totalit të kontratës është kryer nga Investimet kapitale. Pёr nga natyra e projektit, kёto shpenzime janё tё natyrёs sё mallrave dhe shёrbimeve dhe duhet tё klasifikohen si tё tilla”, thuhet në raportin e auditorëve.

BE: Do të marrim masa

Insajderi i ka dërguar pyetje kryetarit të Mitrovicës, Goran Rakiqit dhe Vlastimir Kragoviç, zyrtar i prokurimit në këtë komunë.

Por, autoritetet lokale të Mitrovicës ende nuk ka dhënë përgjigje lidhur me paradhënien e dyshimtë për kontraktorin privat.

Përgjigje në pyetjet e Gazetës Insajderi nuk ka dhënë as organizata RDA North, e drejtuar nga Rreze Duli.

Një përgjigje lidhur me gjetjet e auditorëve të ZAP-it e ka dhënë Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.

Kjo zyrë është pjesë e bordit menaxhues të Fondit për Veriun, bashkë me autoritetet qendrore dhe lokale të Kosovë.

“Ne kemi marrë parasysh të gjeturat e Zyrës Kombëtare të Auditorit në Fondin Zhvillimor. Përfaqësuesi Special i BE-së në Kosove (EUSR) si Kryetar i Bordit Menaxhues të Fondit Zhvillimor së bashku me anëtarët e tjerë do të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për të adresuar rekomandimet e Zyrës Kombëtare të Auditorit që i janë drejtuar Bordit”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së BE-së në Prishtinë.

Sipas tyre, duhet që edhe autoritetet komunale dhe ministritë përkatëse të bëjnë adresimin e tyre në çështjet që janë identifikuar në projektet e zbatuara nga ana e tyre.

Megjithatë, Ministria e Financave nuk sheh arsye që të merret me këtë çështje, ndonëse është dikasteri që obligohet të garantojë shpenzimin e ligjshëm të parave publike.

“Siç jeni në dijeni Ministria e Financave i ka deleguar shpenzimet tek të gjitha Organizatat Buxhetore, rrjedhimisht për çdo pagesë përgjegjësinë ligjore e bart vetë Organizata Buxhetore”, ka thënë për Insajderin Muharrem Shahini, zyrtar në Ministrinë e Financave.

Sipas tij, Ministria e Financave nuk posedon dokumentacion të pagesave për të verifikuar apo vërtetuar nëse ka pasur ndonjë pagesë e cila bie ndesh me aktet normative.

Por, paradhëniet që kalojnë vlerën prej 15 për qind duhet të shkojnë nëpërmjet Qeverisë së Kosovës. Kjo vlen për të gjitha autoritetet lokale dhe qendrore.

Ligji për buxhetin përcakton se duhet leje e veçantë nga Qeveria e Kosovës për ta lejuar një organizatë buxhetore që të paguajë avans për kontraktorin privat deri në 30 për qind apo edhe më shumë se 30 për qind të vlerës së përgjithshme të kontratës./Insajderi.com

Më të lexuarat

Tribuna

Email