Kosova e bllokuar, kërkohet strategji për dalje nga kriza (VIDEO)
Lajme

Kosova e bllokuar, kërkohet strategji për dalje nga kriza (VIDEO)

11 Shkurt 2018 | 19:52

Është koha e fundit që lidershipi kosovar të krijojë agjendë unike dhe veprime konkrete se si të dilet nga kjo situatë, që tani për tani po vlerësohet si fillimi i një dështimi të shtetit të Kosovës.

Kështu po mendon njohësi i çështjeve politike dhe të sigurisë, Abit Hoxha, i cili paralajmëron ndarje të Kosovës nëse temave të mëdha nuk u jepet epilogu i duhur dhe i shpejtë.

 

Hoxha thotë se Demarkacioni duhet të zhbllokohet urgjentisht sepse është kërkesë e të gjitha instancave ndërkombëtare dhe nevoje urgjente vendore. Për Gjykatën Speciale thotë se duhet të ketë një qëndrim unik, ndërsa kërkon edhe formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe, për të cilën thotë se duhet aprovuar me kujdes të madh duke mos lejuar kompetenca ekzekutive.

E pas këtyre, Hoxha mendon se do t’i hapet rruga transformimit të FSK-së në Ushtri.

Konsensus nacional politik për integrimin evropian të Kosovës po kërkon edhe ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha.

Ajo madje ka propozuar miratimin e një Rezolute, e cila e rikonfirmon përkushtimin e gjitha institucioneve për integrime evropiane.

 

Mirëpo, anëtarët e komisionit dhanë vërejtje dhe shprehen skepticizëm nëse rezoluta do të prodhojë diçka.

Skeptik se kjo Qeveri mund të zgjidhë temat e mëdha që tashmë kanë bllokuar Kosovën në rrugën e saj integruese, po shprehet edhe shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së Avdullah Hoti.

 

Demarkacioni ende nuk ka siguruar votat, ndërkaq nisma për zhbërjen e Speciales ka mbetur peng, kjo pas kritikave të shumta nga faktori ndërkombëtar. Ndërsa Bashkësia e Komunave Serbe nuk është as në agjendën e Qeverisë.

E ideja e ndarjes së Kosovës kohët e fundit është përhapur edhe nga liderët serbë, të cilët madje po thonë se për këtë çështje duhet të flasin vetëm me Shqipërinë.

Për më shumë ndiqeni videon e plotë:

 

Më të lexuarat

Tribuna

Email