Komuna që i fal gabimisht qiramarrësit
Lajme

Komuna që i fal gabimisht qiramarrësit

11 Korrik 2017 | 20:44

Komuna e Hanit të Elezit, nën udhëheqjen e Rufki Sumës, nuk i fal borxhet siç e kërkon ligji. Auditori i ka gjetur shkeljen e bërë drejtorit të Urbanizmit në këtë Komunë.

Drejtori i Urbanizmit i ka falur borxhet e qirasë për 14 qiramarrës të pronës komunale në vlerë prej 6 mijë e 615 eurosh, duke u bazuar në ligjin për faljen e borxheve. Auditori thotë se ky ligj nuk e parasheh faljen e borxheve për qiratë, shkruan Indeksonline.

‘’..Ne kemi gjetur se ishin falur borxhet e qirasë për 14 qiramarrës të pronës komunale në vlerë totale 6,615€, duke u bazuar në ligjin për faljen e borxheve. Ky ligj nuk e parasheh faljen e borxheve për qiratë’’, thuhet në raportin e ZKA-së.

Por këto gabime të Hanit të Elezit, mund t’i kushtojnë me buxhet Komunës. Të paktën kështu alarmon auditori.

Sipas auditorit: ‘’Falja e borxheve të qirasë pa bazë të ligjore, është në kundërshtim me ligjin dhe shkakton humbje financiare për komunën. Po ashtu, një veprim i tillë duke falur borxhin për qiramarrës të cilët nuk kanë paguar vite me radhë, mund të shkaktoj pakënaqësi tek qiramarrësit të cilët kanë paguar vazhdimisht’’

Pa i lëshuar një rekomandim kryetarit nuk e ka lënë auditori.

‘’ Kryetari duhet të rishikoj rastet e mësipërme të faljes së borxheve dhe të siguroj se falja e borxheve bëhet vetëm për kategoritë e lejuara me ligjet dhe rregulloret në fuqi. Para marrjes së vendimeve, rastet të shqyrtohen paraprakisht dhe të sigurohet se vendimet e marra janë në përputhje të plotë me ligjet apo rregulloret përkatëse’’, thuhet më tej. Kjo është vetëm një ndër shkeljet e Komunës që auditori ka gjetur.

Më të lexuarat

Tribuna

Email