Gecaj: Mos e helmoni Labin
Lajme

Gecaj: Mos e helmoni Labin

08 Gushtë 2017 | 18:02

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Bajram Gecaj, ka bërë apel që mos ta helmojnë deputetin e koalicionit LAA, Labinot Tahiri.
Ai përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” ka shtuar se nuk mundet askush të kërkoj t’i bëhen favore jashtë normave të rregullta dhe normale demokratike

Në fund Gecaj i ka bërë thirrje Labinot Tahirit, që mos të dorëzohet/ Gazeta Tribuna/

Postimi i tij i plotë:

MOS E HELMONI LABIN

Presidenti i AKR-së, z. Behgjet Pacolli, me plotë të drejtë konkludoi sot se “…është përfolur dhe manipuluar shumë rreth personalitetit të z. Labinot Tahiri…”. Është vërtetë irrituese, herë e pamoralshme, herë jodemokratike e më së shumti jonjerëzore të shohim gjithë këtë presion politik por edhe psikik, shpesh të orkestruar, të ushtrohet me plotë cinizëm ndaj një deputeti të ri të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Labinot Tahiri ka vendosur ta sfidoi veten edhe në politikë, pas një karriere tjetër shumë të suksesshme dhe një aktiviteti të pashoq humanitar të ushtruar gjatë viteve të fundit. Kjo që po ndodh rreth tij është një barrë e rëndë mbi te që ai nuk e ka përzgjedhur, por të cilën për interesa klanore e partiake duan me djallëzi t’ia vendosin mbi supe. Këtë ai nuk e ka merituar. Menaxhimi i kësaj situate nga ai e bënë atë korrekt dhe të denjë.

Të gjithë ne e kemi peshuar veten kur i jemi bashkangjitur këtij apo atij subjekti, dhe balanca e tillë na ka hedhë në këtë apo atë parti politike. Labinot Tahiri, por edhe ne të tjerët, mund të kemi respektin më të lartë për individë të caktuar në subjektet tjera politike, por në fund, pavarësisht kësaj, kemi vendosur t’i përkasim këtij apo atij grupimi politik. Labinot Tahiri, me vetëdije të plotë dhe me ndërgjegjen e tij individuale ka zgjedhe AKR-në, dhe kjo zgjedhje e tij duhet të respektohet deri në maksimum. Kjo nuk po ndodh.

Nuk mund të mbipeshoi çështja e numrave për themelimin e institucioneve mbi përzgjedhjet e tij personale politike. Nuk mundet askush të kërkoj t’i bëhen favore jashtë normave të rregullta dhe normale demokratike. Është mahnitëse dhe inkurajuese për të gjithë ne, posaçërisht në dritën e atij presoni të cilit i është nënshtruar, qëndrimi të cilin e ka mbajtë z. Tahiri deri më tani.

Derisa rezervon të drejtën të mbajë respektin njerëzor për këtë apo atë individ, z. Tahiri megjithatë i mbeti besnik zgjedhjes së tij politike fillestare dhe ekipit me të cilin kishte garuar në zgjedhjet e fundit. Një frymë e tillë duhet përshëndetur dhe inkurajuar, jo trazuar e helmuar, siç tentojnë ta bëjnë disa këtyre ditëve. Unë sinqerisht shpresoj, dhe nga ajo që kam parë ditëve të fundit edhe dua të besoj, se Labinot Tahiri do të provoi se është i denjë edhe për sfidat politike, ashtu siç ishte i tillë edhe në sfidat e tjera jetësore të deritanishme.

Labi mos u dorëzo!

Më të lexuarat

Tribuna

Email