Ende nuk dihet nëse Thaçi do ta vizitojë Beogradin
Lajme

Ende nuk dihet nëse Thaçi do ta vizitojë Beogradin

19 Prill 2015 | 21:24

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, ka theksuar se ende nuk është marrë një përgjigje formale nga ana e Serbisë për vizitën e mundshme të Hashim Thaçit në Beograd.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, gjatë një interviste në Lajmet Qendrore të RTK-së ka theksuar se ende nuk është marrë një përgjigje formale nga ana e Serbisë për vizitën e mundshme të zëvendëskryeministrit Hashim Thaçi në Beograd.

“Në kanalet zyrtare ende nuk ka ardhë përgjigja as po e as jo. Varësisht prej përgjigjes, ne do të reagojmë duke parë se cili është interesi nacional i Kosovës në këtë çështje”, tha Selimi në RTK.

Ai tutje theksoi se kjo çështje varet nga politika serbe.

“Duhet të jetë edhe vullneti politik i Beogradit që të realizohet kjo vizitë”, tha Selimi.

Duke folur për raportimet në media se në rast të një vizite në shtetin fqinja Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Hashim Thaçi, do të mund të arrestohej, Selimi është shprehur: “Që nga vitit 1997, Hashim Thaçi është një nga personat më të kërkuar nga ish-regjimi i Milloshevicit. Në të kaluarën ai është akuzuar për ‘terrorizëm’ dhe se e ka shkatërruar shtetin serb, dhe këto akuza janë të një periudhe tragjike, të kaluar. Ne shpresojmë që regjimet e të kaluarës të diktaturës milloshveiqiane nuk do të jenë bazë për vendimmarrje dhe nuk do të jenë bazë e politikave të sotshme”, ka shtuar Selimi.

Tribuna

Email