Deklarata e shteteve të Quint-it: Deputetët janë përgjegjës për krijimin e qeverisë
Lajme

Deklarata e shteteve të Quint-it: Deputetët janë përgjegjës për krijimin e qeverisë

14 Korrik 2017 | 16:28

Në një deklaratë të përbashkët, SHBA-ja, Gjermania, Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Italia kanë thënë se deputetët janë përgjegjës për krijimin e qeverisë, pa përmendur koalicionet ose partitë politike me emra. Aty thuhet se këto vende do të punojnë me secilën qeveri që do të krijohet.

Shtetet e Quint-it kërkojnë nga Qeveria e re që të procedojnë, sa më shpejt ratifikimin e Marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi, dhe që të angazhohen seriozisht në dialogun me Serbinë për të normalizuar marrëdhëniet mes dy shteteve.

Deklarata e tyre e plotë:

DEKLARATË NË EMËR TË AMBASADAVE TË FRANCËS, GJERMANISË, ITALISË, MBRETËRISË SË BASHKUAR DHE SHTETEVE TË BASHKUARA

Kemi parë rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës. Ne poashtu rikujtojmë të gjeturat fillestare të Misionit të BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve dhe presim që Kuvendi i ri të vëjë si prioritet përgjigjen e vet ndaj rekomandimeve të këtij Misioni.

Ne poashtu dëshirojmë të japim qëndrimin e shteteve tona lidhur me formimin e Qeverisë. Ashtu siç e kemi bërë të qartë vazhdimisht – qytetarët e Kosovës janë ata që zgjedhin përfaqësuesit e tyre. Vetëm këta përfaqësues janë përgjegjës për krijimin e një Qeverie të re në bazë të ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës. Ne do të punojmë me çdo Qeveri të formuar ligjërisht dhe që respekton përkushtimet e Kosovës, Agjendën Evropiane për Reformë, dhe perspektivën më të gjerë Evropiane të Kosovës. Ne nxisim partitë që e formojnë qeverinë e ardhshhme që të kenë si prioritete sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në gjitha pjesët e Kosovës, në mënyrë që të tërheqen investimet aq shumë të nevojshme për krijimin e vendeve të punës dhe për rritje të qëndrueshme ekonomike.

Ne poashtu nxisim Qeverinë dhe Kuvendin që të procedojnë, sa më shpejtë që është e mundshme, ratifikimin e marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi, dhe që të angazhohen seriozisht në dialogun me Serbinë për të normalizuar marrëdhëniet mes dy shteteve.

Më të lexuarat

Tribuna

Email