Apel për subjektet politike: Mos i shfrytëzoni fëmijët për aktivitetet zgjedhore
Lajme

Apel për subjektet politike: Mos i shfrytëzoni fëmijët për aktivitetet zgjedhore

19 Maj 2017 | 13:31

Drejtoresha ekzekutive e Koalicionit të Organizatave Joqeveritare për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF), Donjeta Kelmendi, apelon tek institucionet vendore e posaçërisht tek subjektet politike, të cilat janë në fushatë elektorale për zgjedhjet e 11 qershorit 2017, që të mos i shfrytëzojnë fëmijët për aktivitetet e tyre zgjedhore.

Kelmendi në një prononcim për “Zëri” ka thënë se e konsideron shumë shqetësues shfrytëzimin e fëmijëve gjatë fushatës elektorale.

Gjatë zgjedhjeve të kaluara partitë politike në Kosovë u zunë duke mbajtur aktivitete e tyre zgjedhore në objektet shkollore, salla…, që përveç se kanë penguar procesin e rregullt mësimor, kanë përdorur fëmijët edhe për të promovuar subjektet e tyre politike. Pa përjashtim partitë politike kanë mbushur dhe tubimet e tyre me fëmijë, nxënës të shkollave të mesme dhe fillore.

“Për këtë arsye, në emër të misionit për mbrojtjen, dhe avancimin e të drejtave të fëmijëve, apelon tek institucionet vendore e posaçërisht tek subjektet politike, të cilat janë në fushatë elektorale për zgjedhjet e 11 qershorit 2017, që të mos i shfrytëzojnë fëmijët për aktivitetet e tyre zgjedhore”, ka thënë ajo. Shfrytëzimi i fëmijëve për fushatë elektorale, ajo thotë se është shkelje e të drejtave të fëmijëve. “Shkelje edhe më e rëndë është ndërprerja e procesit mësimor për përfshirje të fëmijëve në fushatë elektorale të partive politike”. Kelmendi ka thënë se përgjegjës në parandalimin dhe ndalimin e politizimit të fëmijëve janë partitë politike, KQZ, MASHT, DKA-të, shkollat dhe prindërit.

Ajo thotë se KOMF bën thirrje që partitë politike mos të shfrytëzojnë fëmijët për fushatë elektorale, por të përfshijnë në programet e tyre politikat për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve. “MASHT dhe shkollat duke u bazuar në Ligjin për Arsimin në Komunat e Republikës së Kosovës Nr. 03/L-068, të mos lejojnë assesi që procesi mësimor të pengohet gjatë fushatës zgjedhore. Të mos shfrytëzohen ambientet shkollore gjatë fushatave elektorale të subjekteve politike, prindërit të vetëdijësojnë fëmijët e tyre për të mos e ndërprerë procesin mësimor, për pjesëmarrje në fushatat elektorale të partive politike”.

Kelmendi po ashtu tha se KOMF apelon tek prindërit, të cilët përcjellin aktivitete zgjedhore të partive, që të mos i politizojnë fëmijët që janë ende në zhvillim e sipër.

Më të lexuarat

Tribuna

Email