“Carmen” nesër në Teatrin Kombëtar të Kosovës
Kulturë

“Carmen” nesër në Teatrin Kombëtar të Kosovës

04 Prill 2018 | 14:06

Nesër në mbrëmje kryeqytetasit mund të përcjellin shfaqjen e baletit “Carmen” në Teatrin Kombëtar të Kosovës, e cila ka për temë lirinë e popullit.

Drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Ahmet Brahimaj, tha se kjo shfaqje ngërthen një ngjarje të veçantë dhe është dashur shumë përkushtim dhe punë për të arritur deri në finalizimin e saj. Ai përmendi edhe sfidat që kanë hasur gjatë realizimit të provave për këtë shfaqje.

Brahimaj: Publiku lyp shfaqje të mirë

“Nuk kemi pasur kohë të ndalemi, nuk kemi pasur kohë me prit kushte, nuk kemi pasur kohë deri të merren vesh me tenderë, shtëpia kur të kallet duhet me i qitë ujë. Kurse këtu te ne hynte uji për fundi Komuna këqyrin me qit tender deri në shtator të mundshin me rregullua. Këtë e thashë se me të vërtetë kanë punuar në kushte të vështira dhe jam shumë mirënjohës që edhe koreografja ka punuar në atë atmosferë, në qatë fëlliqnihane që ka ardhur prej bodrumit. Por, në fund të fundit të gjitha këto publiku nuk i sheh, publiku nuk i din këto, por publiku lyp shfaqje të mirë dhe unë besoj dhe jam shumë i bindur se shfaqjen e ka bërë shumë të mirë, një shfaqje që ka me u mbajt gjatë në repertor”, tha ai.

Ndërkaq, koreografia Natalia Osipova, u shpreh e lumtur që ndodhet në Kosovë për herë të dytë radhazi për shfaqjen e baletit “Carmen”. Ajo tha se përmes kësaj shfaqje do të prezantojë jetën reale dhe atë çfarë ndjen për popullin shqiptar.

Osipova: Liria si temë kryesore e shfaqjes

“Nuk është veç tema e dashurisë ose që flitet vetëm për Carmenin në përgjithësi, kam vendosur shumë ndjenja të lirisë që përket me situatën e popullit tuaj që arrin në jetën e secilit prej neve. Të mbyllur në kafaze, dekori i kësaj shfaqje janë kafazet, kafazet do të prezantojnë edhe si burgun e jetës që jemi duke e jetuar për çdo ditë. Sa më shumë që po e njoh popullin e Kosovës ja u jap krejt dashurinë që e kam që me qenë më të lirë edhe pse jeni të pavarur. Për mua është shumë e rëndësishme që e keni bërë këtë punë  dhe është më e rëndësishmja që populli me qenë gjithmonë i lirë. Kjo shfaqje nuk është vetëm për dashurinë, por është liria si temë kryesore e shfaqjes”, tha ajo.

Ndërsa, balerina Jeta Musolli tha se “Carmen” si shfaqje kërkon shumë disiplinë.

Musolli: Carmen është një shfaqje që kërkon shumë disiplinë

“Shfaqja ‘Carmen’ është një shfaqje që kërkon shumë disiplinë, gjithashtu edhe teknikisht është shumë e vështirë dhe përveç historisë si shfaqja ‘Carmen’ që ne krejt e njohim, koreografja këtë radhë ka bërë diçka shumë më të veçantë siç e ka cekur edhe vetë lirinë. Secili person varësisht në mënyrën në të cilën jeton të gjithë  kanë nevojë për lirinë e tyre dhe me qenë të lirë”, tha ajo.

Shfaqja “Carmen” në Teatrin Kombëtar të Kosovës do të shfaqet nesër në ora 20:00.

Më të lexuarat

Tribuna

Email