“ASGJË SIKUR DIELLI”, DY DEKADA MUZIKË
Kulturë

“ASGJË SIKUR DIELLI”, DY DEKADA MUZIKË

20 Korrik 2017 | 15:33

Kur në Kosovë po trokiste lufta, një grup djemsh bënin muzikë. Tashmë kanë kaluar 20 vjet prej atëhere dhe grupi “Asgjë sikur Dielli” është një prej bandave të rrokut më të njohura në hapësirën shqiptare.

Dy dekada janë kohë për të kremtuar me një koncert i cili mblodhi në ambjentet e muzeut kombëtar shumë të rinj dhe admirues por edhe një kohë për të reflektuar mbi kujtimet e grupit që rezistoi të ishte autentik dhe me një stil të pangatërrueshëm.

Përtej tingujve lideri i grupit Alban Nimani ka nxjerrë nga sënduqet e grupit fotografi dhe shënime që kujtojnë dinamikat e një grupi që ndikoi në qasjen e disa gjeneratave ndaj muzikës.

“Është një eksperiencë fantastike, është si një familje tjetër grupi ku performancat në vende të ndryshme, përjetimet e ndryshme me njerëzit na kanë ndikim gjithashtu edhe në krijimin e muzikës. Kur e shoh tu e konceptu ekspoziten shikoj vitet e para si kemi qënë e mandej si jemi zhvillu gjatë këtyre viteve”, u shpreh lideri i grupit Alban Nimani shkruan rtsh.

Këngë si “ma lehtë pa dhimbje” apo “ mendoja, çdo gjë merr fund pa ty” janë himne që këndohen edhe sot me të njëjtin pasion sepse anetarët e “Asgjë sikur dielli” e kane parë gjithnjë muzikën si një përmasë të vërtetë të vetvetes dhe si një laborator eksperimenti artistik.

“Skemi shku drejt famës por ne kemi dasht me kriju diçka që mbetet dhe e cila na pëlqen neve fillimisht që e përjetojmë mirë, mandej duke shpresu që do ju pëlqeje edhe njerëzve” tha Alban Nimani.

“Albumin ne e vendosem me e bo në pllakë gramafoni sepse ka fillu mu kthy, sot është kthy gramafoni, bile përsa i përket shitjeve në tregun ndërkombëtar, pllakat i kanë kalu shitjet CD dhe dallodeve dixhitale , kështu që ky format është tu u kthy shumë fuqishëm në treg”, ka shtuar ai.

Ndërsa admiruesit mund t’i kthehen përvojes vinil të shijimit të muzikes përmes gramafonit “Asgjë sikur dielli” premton të sjellë së shpejti një album të ri për publikun e vet besnik që e shpërbleu me pritjen e jashtëzakonshme në koncertet në Tiranë dhe në Prishtinë.

Më të lexuarat

Tribuna

Email