Zhugolli rikthehet në KEK, merr 6 milionë euro tenderë
Ekonomi

Zhugolli rikthehet në KEK, merr 6 milionë euro tenderë

05 Prill 2017 | 11:11

Biznesmeni, i cili kishte “monopolin” mbi tenderët milionësh në Kosovë, është rikthyer fuqishëm në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).

Kompania private “Eco Trade” e Mehdi Zhugollit për më pak se dy vjet ka fituar tenderë në vlerë prej mbi 6 milionë euro nga kompania më e madhe publike në vend.

Sipas një hulumtimi të gazetës “Zëri”, gjatë fillimvitit 2017 Zhugolli ka marrë tender njëburimor nga kompania që drejtohet nga Arben Gjukaj në vlerë prej rreth 4.2 milionë eurosh për “Furnizim, demontim, montim dhe komisionim të reduktorëve të pompës furnizuese për Bllokun A3/A4”.
Ndërkaq, një tender tjetër prej 1.8 milion eurosh dhe disa tenderë më të vegjël kompania në fjalë i kishte marrë nga KEK-u gjatë vitit që lamë pas.

Për kompanitë e vëllezërve Zhugolli vite më parë është raportuar në medie se kanë marrë dhjetëra miliona eurotenderë nga KEK-u. Madje, sipas medieve, kjo kompani ka fituar tenderë për shkak të lidhjeve me ish-kryeministrin Hashim Thaçi, tashmë president i vendit. Gazeta “Preportr” në vitin 2012 kishte shkruar se familja Zhugolli nga viti 2007 deri më 2012 ka përfituar 170 milionë euro tenderë nga KEK-u.

Sipas “Preportr”-it, kompanitë me të cilat familja Zhugolli ka marrë tenderë nga KEK-u janë: “ACDC-Kos”, “Eco Trade”, “I & A sh.p.k”. Familja Zhugolli po ashtu ka përfaqësinë e “ThyssenKrupp Fordertechnik”-ut, “Siemens”-it. /Telegrafi/

Më të lexuarat

Tribuna

Email