Zëvendëskryeministri Kelmendi: Rahoveci qytet i fuqishëm agroindustrial
Ekonomi

Zëvendëskryeministri Kelmendi: Rahoveci qytet i fuqishëm agroindustrial

12 Dhjetor 2016 | 15:13

Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Ramiz Kelmendi, në kuadër të vizitave që po zhvillon në komunat dhe bizneset e Kosovës, sot zhvilloi një vizitë në Komunën e Rahovecit ku u prit nga kryetari, Idriz Vehapi, me bashkëpunëtorë.

Pas takimi zëvendëskryeministri Kelmendi u prononcua para medieve të pranishme.

“Në vazhdën e vizitave që po iu bëj komunave të Republikës së Kosovës, sot po vizitoj edhe Komunën e Rahovecit, ku u informova për së afërmi mbi çështjen e zonës ekonomike të pazgjidhur të kësaj komune, për të arriturat në sektorin e bujqësisë, duke pasur parasysh se kjo komunë ka nevojë të jetë jo vetëm zonë agrare, por të jetë agroindustriale, që disa prodhime që prodhohen këtu të përpunohen dhe t’iu shtohet vlera, në mënyrë që fermerët të kenë të hyra më të mëdha” tha zëvendëskryeministri Kelmendi.

 “Poashtu, biseduam se si ta ndryshojmë formën e granteve në funksion të fuqizimit të fermerëve. Për subvencionet mbi produktet bujqësore është lider, prandaj ky është një qytet i fuqishëm agroindustrial”, tha zëvendëskryeministri Kelmendi.

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Idriz Vehapi, pasi falënderoi zëvendëskryeministrin për vizitën shtoi se biseda u fokusua në çështjet ekonomike, duke pasur parasysh se Rahoveci është njëra nga komunat kryesisht bujqësore.

“Biseduam për cikle tjera të prodhimit, për finalizimin e këtyre produkteve bimore që zhvillohen në tokat e Rahovecit. Poashtu edhe për agro-zonën, e cila nuk ka filluar të ndërtohet, por ka qenë e planifikuar të ndërtohet shumë vite më parë”, tha kryetari Vehapi, i cili ndër të tjera tha se ka marrë zotimin e zëvendëskryeministrit Kelmendi për zhbllokimin e kësaj situate.

 Pas vizitës në Komunë, zëvendëskryeministri Kelmendi zhvilloi një takim edhe me bizneset e kësaj komune.

Gjatë takimit, zëvendëskryeministri Kelmendi tha se Rahoveci është kryeqyteti agroindustrial i Kosovës, dhe do të ishte mirë që të vazhdoj ta mbaj këtë titull, por duke bërë një avancim edhe më të madh të prodhimtarisë bujqësore, njëkohësisht duke marrë për bazë edhe këshillat nga ekspertët e USAID-it që janë duke punuar në territorin e Republikës së Kosovës.

 

“Duke marrë këshillat e ekspertëve dhe duke njohur tregun ndërkombëtar na bënë të mundur që prodhimet tona të jenë më të shitura me një çmim më të mirë, poashtu duhet t’i përshtatemi tregut ndërkombëtar duke e kuptuar se çka kërkohet më shumë në interes të shtimit të prodhimit dhe shtimit të profitit, duke fituar ju fiton edhe Kosova”, tha zëvendëskryeministri Kelmendi, i cili ju bëri thirrje fermerëve që të bashkëpunojnë sa më shumë institucionet dhe ekspertët në mënyrë që të avancojnë me format e prodhimit bashkëkohor.

Gjatë këtij takimi, Drejtori per Ekonomi Zhvillim dhe Turizën në komunën e Rahovecit, Avdullah Kryeziu, falënderoi zëvendëskryeministrin Kelmendi për vizitën dhe paraqiti një pasqyrë të përgjithshme të funksionimit të bizneseve në këtë komunë, duke theksuar se në periudhën janar-nëntor ka qenë një trend i mirë i regjistrimit të bizneseve.

Përfaqësuesit e bizneseve të kësaj komune, shfaqen sfidat me të cilat po ballafaqohen në zhvillimin e veprimtarisë së tyre biznesore duke kërkuar ndihmën e qeverisë në avancimin dhe përmirësimin e prodhimtarisë.

Zëvendëskryeministri Kelmendi vizitoi edhe Bodrumin e Verarisë ‘Stonecastle’ dhe kompaninë ‘Osa Termosistem’, ku u prit nga drejtuesit këtyre kompanive.

 

 

Më të lexuarat

Tribuna

Email