Pritet rritje e tarifave të ujit
Ekonomi

Pritet rritje e tarifave të ujit

29 Mars 2017 | 9:49

Mbrëmjen e së hënës filloi furnizimi me ujë për 24 orë në Prishtinë, megjithatë në disa lagje pati probleme, njofton Klan Kosova.

Funksionalizimi i fabrikës së re të ujit në Shkabaj nuk kaloi pa probleme, me ç’rast pati ndërprerje të energjisë elektrike dhe disa probleme teknike të tjera, bëri të ditur zëdhënësja e Ujësjellësit Rajonal Prishitna, Arbërie Zogjani.

“Kemi dërguar ekipe shtesë dhe në fund kemi arritur që të kemi furnizim me ujë për 24 orë, duke mos i përfshirë disa pika të larta për të cilat edhe kemi paralajmëruar që mund të ketë ndërprerje. Ka pasur presion të lartë të ujit gjatë natës, andaj edhe në orët e para të mëngjesit kemi pasur probleme me pëlcitje të gypave, e që menjëherë kemi dalë në teren dhe kemi sanuar problemet”, ka thënë Zogjani.

Tutje ajo ka bërë të ditur që lagjet Kodra e Trimave, Mati dhe disa ndërtesa në Veternik nuk do të jenë pjesë e furnizimit 24 orë me ujë të pijshëm.

“Disa lagje mund të kenë probleme megjithatë në bashkëpunim me komunën dhe me disa investime shtesë, pritet që edhe këto pika të kenë furnizim me ujë 24 orë. Nuk mund të them ndonjë datë të caktuar, megjithatë mund të them që shumë shpejt do të ndodhë”, ka thënë Zogjani në një intervistë për Klan Kosova.

Ajo gjithashtu paralajmëroi që mund të ketë rritje të tarifave për disa centë, megjithatë nuk ka asgjë konkrete në këtë drejtim. /Telegrafi/

Më të lexuarat

Tribuna

Email