Përurohet Qendra e Vazhdimësisë së Punës
Ekonomi

Përurohet Qendra e Vazhdimësisë së Punës

07 Nëndor 2016 | 19:27

Banka Qendrore e Kosovës së bashku me Bankën Botërore Zyra në Kosovë kanë përuruar në Prizren Qendrën për Vazhdimësi të Punës, qendër e cila bën ruajtjen e të dhënave. Këtë qendër, përveç BQK-së mund ta shfrytëzojnë edhe institucionet tjera për ruajtjen e të dhënave si dhe për trajnime e organizime të ndryshme.

Qendra për vazhdimësi të punës është vlerësuar tejet e rëndësishme për fuqizimin e sektorit financiar dhe modernizimit të tregut.

Guvernatori i BQK-së, Bedri Hamza, duke falënderuar Bankën Botërore për mbështetjen financiare të kësaj qendre, theksoi se po bëjnë inaugurimin e komponentës së projektit të fundit të fuqizimit të sektorit financiar bashkë me infrastrukturën e tregut.

Ai shtoi se është një projekt, i cili ka kontribuar në fuqizimin e sektorit financiar. “Projekti është i financuar nga Banka Botërore prej kredisë që është mbështet nga Ministria e Financave dhe ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës.

Sipas një komunikate për medie të lëshuar nga BQK-ja, ky projekt ka filluar me përkrahjen e Fondit për Sigurimin e Depozitave në kapitalin fillestar”.

“Është një komponentë shumë e rëndësishme që siguron depozitarët dhe garanton stabilitetin financiar të Kosovës, që është një prej objektivave kryesore të BQK-së. Pastaj për të vazhduar me sistemin e barazimit të pagesave në kohë reale, sistemin e mbikëqyrjes bankare së bashku me statistika dhe kjo është komponenta e fundit Qendra e Vazhdimësisë së Punës në raste të situatave emergjente”, ka potencuar guvernatori Hamza.

Ai ka theksuar se është një objekt i rëndësisë së veçantë dhe është një projekt që ka rëndësinë nacionale të cilin mund ta shfrytëzojnë edhe institucionet tjera.

” Objekti do të luajë rolin edhe të qendrës  së trajnimeve, që do të shfrytëzohet për trajnime, konferenca e organizime të ndryshme nga BQK dhe institucione të tjera”, ka theksuar Guvernatori Hamza.
Drejtori i Zyrës së Bankës Botërore për Kosovë dhe Maqedoni, Marco Mantovanelli, është shprehur i lumtur me përurimin e këtij objekti, duke thënë se ky objekt i Punës së Vazhdimësisë ka rëndësi të madhe për ruajtjen e të dhënave në raste emergjente apo të katastrofave.

“Në këtë mënyrë ky sektor po arrin në nivele evropiane. Ky objekt ka mundësi të mbështesë edhe institucione tjera dhe njëkohësisht mund të mbahen trajnime të ndryshme. Projekti për fuqizimin e sektorit financiar dhe modernizimit të tregut nuk është hapi i fundit i mbështetur nga Banka Botërore, sepse ka pasur edhe të arritura të tjera, në vitin 2016 është bërë lansimi i suksesshëm i sistemit automatik të transfereve”, ka thënë Mantovanelli./GazetaTribuna/

 

1 Foto

Më të lexuarat

Tribuna

Email