OEK kërkon të jetë pjesë e takimeve në Korçë
Ekonomi

OEK kërkon të jetë pjesë e takimeve në Korçë

21 Tetor 2017 | 15:06

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) gjatë një konference për media ka ngritur shqetësimet e komunitetit të biznesit kosovar mbi barrierat tregtare mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Safet Gërxhaliu, kryetar i OEK-ut, tha se agjenda politike në Kosovë dhe Shqipëri është e prolonguar.

“Praktika e takimit të përbashkët të Qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë, ka qenë e mirëseardhur për komunitetin e biznesit dhe OEK-un, pasi ndikon pozitivisht në krijimin e një klime të favorshme për tregti dhe investime, përmes eliminimit të barrierave prezente, sidomos gjatë eksportit të prodhimeve nga Kosova në Shqipëri”, tha ai.

Duke e vlerësuar që kjo praktikë deri tani ka prodhuar vetëm dekor për konsum mediatik, OEK vlerëson që përmbajtja e këtyre takimeve duhet të ndryshojë në drejtim të krijimit të mekanizmave që garantojnë rritjen e bashkëpunimit ekonomik në mes dy vendeve.

OEK beson se takimi i radhës në mes dy qeverive në Korçë është një mundësi për zgjidhjen e problemeve konkrete që pengojnë bashkëpunimin në mes dy vendeve.

“Ky dokument përmbledhës nga ky hulumtim do të jetë platforma më e mirë, për ata që janë të thirrur të marrin vendime, drejt krijimit të kushteve për një treg të përbashkët, përmes krijimit të mundësive për një ekonomi komplementare në mes dy vendeve, prandaj kërkojmë nga Qeveritë tona që të na përfshijnë si pjese integrale të këtij takimi”, tha Gërxhaliu.

Ndryshe, raporti do t’u prezantohet të dyja qeverive, asaj të Kosovës dhe Shqipërisë, në takimin e radhës që do të mbahet muajin e ardhshëm në Korçë.

Më të lexuarat

Tribuna

Email