Nga 46 mijë ndërtime, vetëm 300 janë legalizuar (VIDEO)
Ekonomi

Nga 46 mijë ndërtime, vetëm 300 janë legalizuar (VIDEO)

02 Prill 2018 | 20:25

 

Prishtina po vazhdon të ballafaqohet me ndërtime të egra.  Nga 46 mijë ndërtime pa leje, vetëm 300 prej tyre janë legalizuar. 

E krejt kjo si pasojë e mos sundimit të  rendit të ligjit e po ashtu edhe mos  planifikimit hapësinor.

Kështu po thotë edhe Drejtori i Media “ Ndërtimi”, Valon Vataj.

“Konferenca ka për qëllim që të nxjerr rekomandime, të cilat do ti kontribuojnë zgjidhjes së problemeve në fushën e ndërtimit dhe të cilat do t’i përdorin institucionet lidhur me hartimin e legjislacionit për të qenë si udhërrëfyes apo materiale të mjaftueshme për të zgjidhur këto probleme. Gjithashtu konferenca ka për qëllim të zgjidhe edhe problemet e mjedisit, të cilat shkaktohen nga ndërtimi”.

 E kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, tha se konferenca të tilla kontribuojnë në përmirësimin e fushës së ndërtimit, për të cilën tha se është në gjendje jo të mirë.

“Dua të besoj që temat të cilat duhet të preken vërtet kanë substancë dhe do të trajtohen në mënyrë më profesionale ashtu siç e do rregulli dhe ligji. Është e vërtet se në Kosovë shumë më tepër flitet për ndërtimtari, por dua të besoj që nuk mund të ketë ndërtimtari të mirëfilltë pa sundim të rendit dhe ligjit, pa planifikim hapësinor e mbi të gjitha pa ekspertizë shkencore dhe pa dijeni”.

Ndërsa, nënkryetari Selim Pacolli u shpreh se nuk ka infrastrukturë të bollshme për kokë banori, por prmtoi se do të angazhohen për të bërë më të mirën të mundshme.

 

 “Prishtina nuk posedon infrastrukturë për kokë banori të cilët sot jetojnë në të. Prishtina, sigurisht se e ka të pamundur të qeverisë momentalisht me këtë gjendje, sidomos pas luftës në qytetin e saj, duke pasur parasysh infrastrukturën e cila ishte planifikuar më herët. Mirëpo, ju garantoj se Prishtina, sot është duke punuar dhe është duke bërë vijat e trasha të planifikimit të saj. Si dhe bashkëpunimin me çdo ndërtimtar, dhe çdo byro arkitektonike në mënyrë që ne ti japim fytyrë ndryshe Prishtinës, të cilën ne të gjithë ia dëshirojmë”.

Sipas  Pacollit është duke u punuar që të ndalohen ndërtimet pa leje dhe të ndërpriten  ndërtimet e egra.

E organizatorët thanë se konferenca e tillë do të organizohet çdo vit në periudhën e njëjtë.

Më të lexuarat

Tribuna

Email