Leku i qëndrueshëm përballë valutave
Ekonomi

Leku i qëndrueshëm përballë valutave

11 Nëndor 2017 | 13:18

Leku ka vazhduar të forcohet edhe gjatë tremujorit të tretë të vitit, por me ritme më të përmbajtura.

Mbiçmimi vjetor i lekut në terma nominalë efektivë, pasi kulmoi në periudhën qershor – gusht në nivelin 5.3%, u zbut në 5.1% në muajin shtator.

Kjo ecuri është diktuar nga mbiçmimi më i vogël i lekut kundrejt monedhës evropiane, ndërkohë që kundrejt monedhave të tjera të shportës, leku ka vijuar të forcohet me ritme të njëjta.

Në terma realë, mbiçmimi i lekut ka qenë më i moderuar krahasuar me mbiçmimin nominal në tremujorin e tretë të vitit, si rrjedhojë e një inflacioni më të ulët në vend krahasuar me atë mesatar në vendet partnere. Mbiçmimi real vjetor i lekut ka zbritur në 4.6% në muajin shtator, nga 5.6% që rezultoi në muajin qershor.

Sipas Bankës së Shqipërisë, forcimi i lekut në dy vitet e fundit është nxitur nga përshpejtimi relativ i rritjes ekonomike në vend, pritjet për vazhdimin e kësaj tendence në të ardhmen dhe reduktimi i primit të rrezikut për ekonominë tonë.

Leku është nënçmuar kundrejt euros gjatë tremujorit të tretë të vitit. Kursi euro/lek, pasi shënoi vlerën më të ulët në gjysmën e dytë të muajit qershor, prej 132.0 lek/euro, është rritur në dy muajt pasues, duke arritur nivelin e 133.5 lek/euro në fund të muajit gusht dhe duke ruajtur mesatarisht këtë nivel edhe gjatë muajit shtator.

Në fund të muajit shtator, leku ka humbur 0.8% të vlerës që ai kishte kundrejt euros në fund të muajit qershor.

Këto zhvillime janë reflektuar në zbutjen e mbiçmimit vjetor të lekut kundrejt euros në tremujorin e tretë. Mbiçmimi vjetor i lekut kundrejt euros rezultoi mesatarisht 2.9% në këtë tremujor, nga niveli më i lartë i mbiçmimit prej 3.4% të shënuar në muajin qershor.

Ecuria e kursit usd/lek ka qenë në linjë me nënçmimin e monedhës amerikane kundrejt euros në tregun ndërkombëtar valutor. Leku është forcuar kundrejt dollarit amerikan me rreth 2.7% në muaj gjatë periudhës korrik-gusht, duke zbritur nga 118.6 lek/usd në muajin qershor në 112.2 lek/usd në muajin gusht.

Në muajin shtator ai ka rezultuar i qëndrueshëm pranë niveleve të muajit gusht. Në terma vjetorë, mbiçmimi i lekut kundrejt dollarit amerikan është përshpejtuar, duke arritur në 8.5% në muajin shtator.

Zhvillimet e vërejtura në gjysmën e parë të muajit tetor tregojnë për qëndrueshmëri të kursit eur/lek pranë nivelit mesatar të muajit shtator, ndërkohë që dollari amerikan është nënçmuar, sikurse edhe në tregun ndërkombëtar.

Më të lexuarat

Tribuna

Email