Haradinaj shpenzoi miliona euro rezerva të shtetit (VIDEO)
Ekonomi

Haradinaj shpenzoi miliona euro rezerva të shtetit (VIDEO)

28 Mars 2018 | 20:13

 

Rezervat e shtetit janë duke harxhuar në masë shumë të madhe nga Qeverisja Haradinaj. Prej 4.8 milionë euro nga mjetet rezervë të Qeverisë për këtë vit që janë ndarë, vetëm në tre muajt e parë të këtij viti janë shpenzuar 2.8 milionë euro.

Ndërsa 50 përqind e rezervës këtë vit është shpenzuar për Operatorin e Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës.

“Nëse ndalem për çka janë shpenzuar mjetet në këtë qeveri dhe me ju dhënë përgjigje pyetjes së juaj. Për “Flakën e janarit” janë 54 mijë e 850 euro, për festimin e 10-vjetorit të Pavarësisë 600 mijë euro… 50 përqind e rezervës thuaja se në këtë vit është shpenzuar adresimin e përkohshëm të KOSTT-it, që është një problem që kjo qeveri e ka trashëguar,” ka sqaruar Ministri i Financave, Bedri Hamza.

Ministri Hamza përmendi ndër të tjera se telashet dhe rreziqet e shfaqura në rrjetin e KOSTT mund t’i kushtojë buxhetit mbi 10 milionë euro deri në fund të vitit.

Sipas deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku. paratë publike janë shpërndarë pa ndonjë kriter nga Qeverisja Haradinaj

 “Shpenzimet e parasë publike dhe mënyra e ndarjes së tyre ka ndjekur një logjikë të arbitraritetit që nga nisja e punës së kësaj qeverie. Pra edhe gjatë muajve të fundit të vitit 2017, por edhe gjatë muajve të parë të vitit 2018, paratë publike janë shpërndarë pa ndonjë kriter të veçantë, ndoshta me një dorë lirë,” është shprehur Abdixhiku. 

Nga grupi i deputetëve të pavarur po thonë se shpenzimet e fondit rezervë është një problem i përsëritur nga të gjitha qeveritë, kështu që në të ardhmen nuk është mirë të përsëritet.

 “Kjo që u tha sot mundem me konstatuar që është një problem i përsëritur, një mënyrë jo parimore e menaxhimit të këtij zëri të shpenzimeve. Ajo që shihet nga raporti, por që u tha edhe nga ministri që nuk është çështja as e kësaj qeverie as e qeverisë paraprake, por e disa qeverive, është që shpenzimet e pa parashikuara shpenzohen për aktivitete që janë saktësisht të parashikueshme dhe shumë të vetëdijshme jo vetëm për Qeverinë, por edhe për shumicën  qytetarëve të Republikës,” ka thënë Dardan Molliqaj nga  Grupi i Deputetëve të Pavarur.

Driton Selmanaj nga LDK tha se po ndahen para publike për ngjarjet për të cilat ka calendar dhe dihen paraprakisht, edhe Shqipe Pantina nga GDP tha se shpenzimi i fondit rezervë është bërë pa qenë nevoja emergjente. Ndërsa, sipas saj, ka pasur disa fatkeqësi natyrore nëpër komuna dhe nuk janë ndarë mjete.

Më të lexuarat

Tribuna

Email