Banka Kombëtare Tregtare Dega në Kosovë feston 10 vjetorin e themelimit
Ekonomi

Banka Kombëtare Tregtare Dega në Kosovë feston 10 vjetorin e themelimit

17 Nëndor 2017 | 10:43

Banka Kombëtare Tregtare shënoi 1 dekadë të prezencës së saj duke ju shërbyer qytetarëve të Kosovës dhe bizneseve në përmbushjen e nevojave të tyre financiare.

Në vitin 2007, BKT, si Banka më e madhe dhe më e vjetër në Shqipëri, solli përvojën e saj mbi 80 vjeçare në sistemin bankar në Kosovë kur hapi degën e saj të parë në Prishtinë. Me përkushtim dhe dedikim maksimal, duke filluar me një staf prej 10 personash, BKT arriti që të shtrinte rrjetin e saj në 16 qytete të Kosovës duke u pozicionuar më afër qytetarëve dhe klientëve.

BKT tashmë njihet si bankë inovative, me produkte dhe shërbime të cilat ofrojnë lehtësi dhe mundësi të shumta në sektorin bankar si dhe shumëllojshmëri të produkteve bankare që janë shtuar ndër vite. BKT Kosova, ishte e para Bankë që për kreditë hipotekare prezantoi normat më të ulëta të interesit në Kosovë, duke filluar kështu një trend të ri të normave të interesit në Kosovë.

Me rastin e 10 vjetorit Drejtori i Bankës Kombëtare Tregtare në Kosovë, Z. Abdurrahman Balkiz u shpreh: “Si bankë, kemi një histori të mrekullueshme. Trashëgimia jonë daton që nga viti 1925, 92 vjet më parë, me degën e parë të Bankës Kombëtare Tregtare të themeluar në Durrës, në ndërtesën historike ku ndodhet sot Dega e BKT-së Durrës. 10 vite operimi në Kosovë janë shënuar me shumë sfida dhe vështirësi duke u përballur me konkurrencë të jashtëzakonshme. Por, ne vazhdojmë të jemi të qëndrueshëm në zhvillimin dhe përmbushjen e misionit të Bankës dhe kemi arritur këtu ku jemi sot. Një institucion financiar i qëndrueshëm, profitabil dhe i respektuar në treg. Duke ofruar produkte të favorshme dhe të nevojshme për klientë, BKT ka arritur një portfolio të kredive prej 206 milion Euro në vitin 2017, portfolio të depozitave prej 319 milion Euro si dhe total asete prej 364 milion Euro. E kemi rritur rrjetin tonë të degëve në 27 degë anembanë vendit dhe kemi arritur 10% të tregut. Për të gjitha këto arritje, BKT mbetet falënderuese dhe shpreh mirënjohjen për të gjithë klientët e Bankës të cilët na kanë besuar gjithë këto vite, bashkëpunëtorët, aksionarët, themeluesit, si dhe për stafin e mrekullueshëm që kanë bërë të mundur këtë sukses”.

“Që nga themelimi i saj BKT ka punuar për të sjellë ndryshime në treg, duke ofruar shërbime financiare cilësore për çdonjërin prej klientëve tanë, si edhe duke nxitur zhvillimin e biznesit në sektorin privat. Për performancën e arritur, BKT ka qenë në fokusin e çmimeve më prestigjioze të sektorit bankar dhe vlerësimeve të njëpasnjëshme, ndër të cilat disa herë rresht si “Banka më e mirë e vitit në Shqipëri” nga Euromoney, EMEA Finance dhe revista prestigjioze The Banker. Gjithashtu, instituti prestigjioz JCR Eurasia Rating ka vlerësuar BKT me notën AAA (Alb) e cila tregon nivelin më të lartë të investimit, dhe me të njëjtën notë ka vlerësuar praktikat e qeverisjes së korporatës.

Prandaj, BKT vazhdon të jetë e dedikuar që të ofroj kushtet më të mira për klientët e saj, përmes investimeve të vazhdueshme në risi dhe teknologji të cilat do të ju mundësojnë klientëve tanë qasje më të lehtë në produktet dhe shërbimet bankare” – shtoi Z.Balkiz.

BKT Kosova ofron një gamë të gjerë të produkteve dhe shërbimeve financiare, për klientët individual dhe të biznesit. BKT sot ka 27 njësi në tërë Kosovën me mbi 370 punonjës dhe mbi 165,000 klientë, duke vazhduar kështu sigurtë për në dekadën e ardhshme.

Më të lexuarat

Tribuna

Email