​Hamza lë postin e guvernatorit të BQK-së pas zgjedhjes ministër
Ekonomi

​Hamza lë postin e guvernatorit të BQK-së pas zgjedhjes ministër

12 Shtator 2017 | 8:58

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Bedri Hamza ka dhënë dorëheqje nga posti i guvernatorit të Bankës Qendrore për shkak të zgjedhjes së tij ministër i Financave.
Hamza këtë e ka bërë publike të dielën, në një konferencë për media, me ç’rast ka thënë se do të jap maksimumin e tij në Ministri të Financave.“Si rezultat i zhvillimeve të reja unë kam dhënë dorëheqje nga pozita e guvernatorit, dhe të njëjtën në përputhje me ligjin e BQK-së, ia kam prezantuar bordit të Bankës Qendrore dhe Presidentit të Bankës Qendrore… Ju e dini, unë jam caktuar me një detyrë të re, nuk është e panjohur për mua. I di sfidat, i di vështirësitë. Unë do të jap maksimumin. Do të bëjë përpjekje që me punë ekipore të gjitha proceset të cilat janë kompetencë e Ministrisë së Financave do t’i shtyjmë dhe t’i lëvizim në drejtim pozitiv”, u shpreh ai.
Me këtë rast, ai ka numëruar disa nga të arriturat e Bankës Qendrore gjatë kohës sa ka qenë guvernator i saj, duke ngritur lart meritat e bordit ekzekutiv, menaxhmentit dhe gjithë stafit të BQK-së. Sipas tij, në mesin e shumë sukseseve ajo që është tejet e rëndësishme është përgjysmimi i normës së interesit, ku nga 12.2 sa ka qenë ka zbritur në 6.8 përqind.“Gjatë këtyre viteve, katër vite e gjysmë, sektorin financiar e kanë karakterizuar zhvillime pozitive. Nëse i referohemi shifrave dhe fakteve dhe i krahasojmë me fundin e vitit 2012 dhe i krahasojmë me kohën kur sot po raportoj del se sektori financiar ka pasur rritje të aseteve nga 2.8 miliard në 3.7 miliardë. Rritja e kredive nga 1.7 miliardë ka mbërri në 2.4 miliardë. Rritja vjetore e kredive në fund të vitit 2012-të ka qenë 3.8 përqind, sot është 10 përqind… Normat e interesit, po flas për normën mesatare efektive të interesit, nga 12.2 sa ka qenë ka zbritur në 6.8… Kam kënaqësinë të deklaroj para qytetarëve të Republikës së Kosovës se edhe sektori i sigurimeve është viti i parë, pas shumë viteve që do ta mbyllë më afarizëm pozitiv”, tha ai përderisa shtoi se nuk pritet të ketë ndonjë turbulencë në vitet e ardhshme.
Guvernatori i deritanishëm i BQK-së Bedri Hamza ka vlerësuar lart edhe kontributin e të gjitha institucione me të cilat ka punuar BQK, ndërsa ka shprehur falënderimin e tij ndaj institucioneve të vendit, Kuvendit dhe Qeverisë për përkrahjen e vazhdueshme dhe pa rezerve që sipas tij kanë quar në ruajtjen e autonomisë të Bankës Qendrore gjatë gjithë këtyre viteve.

Më të lexuarat

Tribuna

Email