Tërmeti në kufirin Irak-Iran, mbi 330 të vdekur
Rajon - Botë

Tërmeti në kufirin Irak-Iran, mbi 330 të vdekur

13 Nëndor 2017 | 13:15

Tërmeti 7.3 ballë që tronditi zonën kufitare mes Iranit dhe Irakut ka shkaktuar vdekjen e të paktën 339 personave dhe plagosjen e 2.800 të tjerëve.

Autoritetet iraniane kanë deklaruar ndërkohë se 70 mijë persona të tjerë kanë nevojë për strehim.

Shumica e viktimave janë nga provinca perëndimore e Iranit, Kermanshah, ndërsa 11 të tjerë humbën jetën në Irak, ku njerëzit braktisën shtëpitë dhe dolën në rrugët e kryeqytetit Bagdad.

“Isha ulur për të ngrënë darkë me fëmijët e mi, kur papritur ndërtesa filloi të lëkundej. Në fillim mendova se ishte një bombë, por më pas dëgjova njerëz që bërtisnin ‘tërmet, tërmet’”, ka treguar Majida Ameer, nënë e tre fëmijëve.

Agjencia iraniane e lajmeve “Isna” raporton se 2.530 persona kanë mbetur të plagosur, ndërsa shumica e viktimave janë nga qyteti Sarpol e Zahab, rreth 15 km nga kufiri.

Spitali kryesor i qytetit pësoi dëme të konsiderueshme materiale, duke vështirësuar kështu mjekimin e disa qindra të plagosurve.

Ndërsa shumë shtëpi në zonën malore janë ndërtuar me baltë dhe tulla dhe rrezikojnë të shemben në rast se një tërmet si ai i së dielës verifikohet sërish.

Më të lexuarat

Tribuna

Email