Hiri i disidentit nobelist Liu Xiaobo hidhet në det
Rajon - Botë

Hiri i disidentit nobelist Liu Xiaobo hidhet në det

15 Korrik 2017 | 13:22

Hiri nga trupi i djegur i disidentit nobelist kinez, Liu Xiaobo u hodh sot në det, pas një ceremonie të thjeshtë mortore.

”Në ceremoni merrnin pjesë bashkëshortja dhe miqtë e tij”, njoftoi sot media shtetërore kineze me anë të një deklarate.

”Liu, 61 vjeç, i diagnostikuar me kancer në mëlçi, vdiq të enjten, më 13 korrik”, njoftoi agjencia zyrtare kineze e lajmeve, Hsinhua.

Grupet e të drejtave të njeriut i kërkuan dje qeverive të ushtrojnë presion ndaj autoriteteve kineze për të liruar bashkëshorten e Liu, Liu Xia nga arrestimi shtëpiak dhe për ta lejuar atë të lëvizë e lirë.

Liu Xia vuan nga zemra dhe depresioni.

Artistja, poetja dhe mbrojtësja e të drejtave të njeriut është mbajtur në izolim dhe nën vëzhgim të rreptë nga autoritetet kineze, pasi bashkëshorti i saj, Liu Xiaobo u vlerësua me çmimin Nobel të Paqes në 2010.

Liu është bashkautor i “Charter ’08” , një dokument i nënshkruar në 2008 nga 300 intelektualë që bënte thirrje për një shtet të lirë, demokratik dhe kushtetues në Kinë.

Në vitin 2009, ai u dënua me 11 vjet burg për rrëzimin e pushtetit. Atij iu dha çmimi Nobel për Paqen pa qenë i pranishëm, një vit më vonë.

Liu është fituesi i parë i çmimit Nobel për Paqe i cili ka vdekur në paraburgim pas pacifistit gjerman, Carl von Ossietzky, në vitit 1935, i cili vdiq nën vëzhgim pas disa vitesh i mbyllur në kampet naziste të përqendrimit.

Më të lexuarat

Tribuna

Email