Kupa e Botës me 48 skuadra, FIFA vendos për “shanset” e Shqipërisë
Arena

Kupa e Botës me 48 skuadra, FIFA vendos për “shanset” e Shqipërisë

10 Janar 2017 | 10:30

Vizioni i presidentit të FIFA-s, Xhani Infantino, për ta zgjeruar turneun e Kupës së Botës nga viti 2026 pritet të behet realitet këtë javë. Këshilli i FIFA-s do të votojë ditën e sotme nëse do ta rrisë numrin e skuadrave pjesëmarrëse për herë të parë që prej Botërorit të 1998-ës dhe Infantino është i bindur se propozimi i tij ka mbështetjen e mjaftueshme për të marrë miratimin, percjelle Panorama sport.

sport-preview-infantino

Për 46-vjeçarin, kjo është sfida e parë në krye të qeverisë botërore të futbollit pasi ai u zgjodh si pasardhësi i Blaterit, duke përdorur edhe këtë kartë elektorale në federata e vogla, të cilat e mbështetën planin e tij me votën e tyre.

Opsionet

Kur anëtarët e Këshillit të FIFA-s të ulen për të votuar këtë javë, ata do të kenë në tavolinën e tyre 5 alternativa. Propozimi i parë do të jetë që turneu të vazhdojë të qëndrojë kështu si është, pra me 32 skuadra, i cili aplikohet prej Botërorit “Francë 1998”. Kjo do të thotë se do të vazhdojmë të kemi 8 grupe me nga 4 kombëtare secili dhe 64 ndeshje në total, ashtu siç jemi mësuar deri tani.

kupa e botes

Dy propozime të tjera do të jenë për të mbajtur një Botëror me 40 skuadra. Njëri do të kishte 8 grupe me nga 5 skuadra (88 ndeshje në total), ndërsa tjetri propozon 10 grupe me nga 4 skuadra, por vetëm 6 prej vendeve të dyta do të kualifikohen më tej. Pastaj janë edhe dy versionet e tjera të zgjerimit të formatit me 48 skuadra.

Njëri, ai që mbështetet nga Infantino, parashikon 16 grupe me nga 3 skuadra, ku dy të parat kualifikohen në fazën e 1/16-ave. Tjetri parashikon një Botëror me tre faza, me 32 skuadra që do të ndeshen në një raund me eliminim direkt përpara se të nisë turneu. Ky version i fundit është i ndërlikuar, sepse 16 skuadra do të kualifikohen në Botëror dhe pastaj do të eliminohen pa nisur turneu.

Për këtë arsye kjo ka pak gjasa që të ndodhë dhe Infantino mbështet versionin e parë të Botërorit me 48 skuadra me 16 grupe me nga tre ekipe. 32 skuadra do të kualifikoheshin në fazën e 1/16-ave me eliminim direkt dhe kështu do kishte shumë më të kënaqur. Problemi këtu është se kur dy skuadra që e dinë rezultatin që i kualifikon në ndeshjen e fundit mund të luajnë për një barazim dhe të kalojnë më tej.

Botërori me 48 sjell 975 mln $ më shumë

Një kërkim i FIFA-s tregon se nëse do të vendoset për zgjerimin e Botërorit me 48 skuadra, turneu do të shtonte të ardhurat e tij me 975 milionë dollarë. Qeveria botërore e futbollit ka llogaritur se të ardhurat e turneut me 48 skuadra do të shkonin në total 6.495 miliardë dollarë. Por presidenti Infantino këmbëngul se ky zgjerim nuk po bëhet për më shumë të ardhura.

kupa e botes te ardhurat

Gjatë fjalës së tij muajin e shkuar, ai tha se motivimi i parë i zgjerimit të formatit të Botërorit ishte ai i gjithëpërfshirjes, pra që vendet e vogla të kishin një shans më shumë për të matur forcat në skenën e gjigantëve. Infantino është i bindur se shumica e 211 anëtarëve të FIFA-s do të zgjedhin opsionin e tij dhe shumica e votës pro, do të vijë nga federatat afrikane dhe ato aziatike.

Në këtë pikë ai ka një bllok të madh votash. Vendet e Britanisë janë gjithashtu pro planit të tij për sa kohë Europa siguron ndarjen e ndershme të vendeve ekstra nga 13 në 16, duke rritur shanset e Skocisë, Uellsit dhe Irlandës së Veriut për t’u kualifikuar në finale. Anglia do preferonte që formati të qëndronte kështu siç është, ndërsa kundërshtarja më e madhe e ndryshimit është kampionia e botës, Gjermania.

Shqipëria, shans për të debutuar edhe në Botëror

Kombetarja feste Euro

Shqipëria preku për herë të parë ëndrrën e luajtjes në skenën më të rëndësishme të futbollit ndërkombëtar verën e shkuar, duke u kualifikuar për herë të parë në histori në finalet e një Europiani. Por me zgjerimin e Botërorit të 2026-ës me 16 skuadra ekstra, kuqezinjtë do të kishin një shans të madh për të shkelur edhe në skenën e turneut më të rëndësishëm në planet.

Vendet e federatave të CONCACAF-it (Kanadaja, Meksika dhe SHBA-ja), janë favorite për të organizuar Botërorin e parë prej vitit 1994 (SHBA). Presidenti Infantino ka thënë se do të marrë parasysh edhe opsionin e zhvillimit të Botërorit në të tria vendet.

Maradona: Do jetë një shans i madh për këdo

maradona

Edhe legjenda Diego Armando Maradona ka vendosur të lobojë pro Botërorit me 48 ekipe pjesë- marrëse. “Më tingëllon një ide fantastike”, tha argjentinasi nga selia e FIFA-s në Zyrih.

“Ai do t’u japë më shumë mundësi vendeve që nuk kanë arritur kurrë atje deri në këto momente”, shtoi 56-vjeçari, i cili ka këtë përgjigje për vendet e mëdha, të cilat janë skeptike për rënien e nivelit të futbollit me përfshirjen e kombëtarëve të vogla në këtë format: “Cilësia nuk do të bjerë. Ky është një shans shumë i madh për ato ekipe që tashmë do t’i nisin kualifikueset e Botërorit, duke ditur se do të kenë një shans më tepër për të shkuar në finale. E përshëndes iniciativën e Infantinos”.

Më të lexuarat

Tribuna

Email