​Bunjaku largohet pas kualifikimeve të Botërorit
Arena

​Bunjaku largohet pas kualifikimeve të Botërorit

09 Shtator 2017 | 12:33

Albert Bunjaku nuk do të jetë trajner i përfaqësueses së Kosovës.Bunjaku do të largohet pasi që të përfundojnë edhe dy ndeshjet e mbetura kualifikuese për Botërorin “Rusia 2018”.
Largimin e trajnerit Bunjaku e ka bërë publik sot presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Fadil Vokrri në një konferencë për media.Presidenti i FFK-së me këtë rast tha se e falënderojnë Bunjakun për angazhimin e tij ndërkaq tha se i kanë dyert e hapura për bashkëpunim në sfera tjera. “Ne kemi ardhë në përfundim, dhe në një bisedim të hapur, në mes të njerëzve që kanë bashkëpunuar për 7-8 vite, dhe unë edhe publikisht e falënderoj zotëri Bunjakun për punën që e ka bërë gjithë këto vite dhe sfidat që kemi kaluar së bashku, dhe ne kemi ra dakord që pas këtyre dy ndeshjeve të ndërpresim bashkëpunimin sa i përket seleksionuesit të ekipit A të kombëtares së Kosovës, gjithnjë duke lënë dyer të hapura për bashkëpunim të mëtutjeshëm në të gjitha sferat e tjera të mundshme, që do të mund të na paraqiten gjatë rrugëtimit tonë”, ka thënë Vokrri.
Presidenti i FFK-së tha se ende nuk kanë vendosur për emrin që do ta zëvendësojë Bunjakun, mirëpo siq tha ai pas përfundimit të ndeshjeve të mbetura do të hulumtojnë për të emëruar trajnerin e përfaqësueses. “Me thënë të drejtën, ne ende nuk e kemi përfunduar këtë proces edhe të gjitha opsionet janë të hapura, sepse unë e potencova edhe më herët që unë me Albertin kemi biseduar jo pas lojës menjëherë , por të nesërmen ose pasnesërmen, tash dy ditë shkun nga ndeshja, dhe na i kemi dhanë përkrahje të plotë edhe në këto dy ndeshje dhe pas këtyre dy ndeshjeve ne do të nisim edhe hulumtimet tona dhe do të analizojmë çka na përgjigjet më së miri në situatën aktuale”, ka thënë Vokrri.

Ndërkohë Albert Bunjaku tha se ky është një largim i vështirë por që edhe e gjithë përvoja me përfaqësuesen nuk ka qenë e lehtë për punën e tij. “Është moment i vështirë, mirëpo është edhe një moment që të rikujton krejt procesin. Unë edhe në konferencë përpara Finlandës e përmenda se unë në futbollin e Kosovës gjendem prej vitit 2002, prej projekteve mos t’i përmendi rend tash, e deri te projekti më i madh të cilin e fillova me besimin e kryetarit, zotëri Vokrrit, dhe komiteti ekzekutiv, dhe nuk ka qenë e lehtë, pavarësisht se ka qenë një moshë e re, një trajner që kom ardh prej Suedisë, eksperiencën ndërkombëtare që e kom pas nuk ka qenë eksperiencë ndoshta direkt e kombëtares që ndoshta është nevojitet në këtë moment”, tha Bunjaku.

Përfaqësuesja e Kosovës ndeshjet e fundit do t’i zhvillojë me 6 tetor me Ukrainën në Shkodër, ndërsa më 9 tetor do të luajë mysafir me Islandën ndërsa gjendet në vendin e fundit në tabelë me vetëm një pikë.

Më të lexuarat

Tribuna

Email