Shqip English

Të pasurit dhe të ‘varfrit’ e vitit

13:01 / E enjte, 02 Janar 2014
3

Nga: Jeton Ademi

Numri dy i Qeverisë, Behgjet Pacolli dhe ministri i Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, Dardan Gashi, janë më të pasurit në kabinetit qeveritar, përderisa deputeti i AAK-së, Ramiz Kelmendi, është kuvendari më i pasur. Ndërkaq në nivelin komunal, ish-kryetari i komunës së Gjakovës Palë Lekaj, prin me pasuri ndaj udhëheqësve të tjerë të komunave. Pasuria e tyre është shumëmilionëshe dhe përfshin pasuri të luajtshme e të paluajtshme.

Ndërkaq, katër zyrtarët me kuletën më të ‘varfër’ sipas formularëve të Agjencisë Kundër Korrupsionit janë: Ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli ajo e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku, ish-kryetari i Novobërdës Bajrush Ymeri dhe deputeti i LDK-së, Ismet Beqiri.


Pacolli i pasur nga biznesi privat
Pasuria e zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli vazhdon të jetë e qëndrueshme nga kompanitë e tij jashtë Kosovës, pasi që ai nuk ka të deklaruar asnjë të hyrë nga qeveria. Derisa në formularin e vitit 2011, ai kishte paraqitur si aksione nëpër kompani jashtë vendit 95 milionë euro, në formularin e vitit 2012 i ka paraqitur ato aksione në vlerë prej 125 milionë euro. Pacolli nuk ka deklaruar të ketë blerë apo bërë ndonjë investim të tij. Po ashtu, në formularin e vitit 2012 Pacolli e ka paraqitur pagën nga Qeveria si zero euro, ndërsa nuk i ka paraqitur të hyrat tjera vjetore nga kompanitë e tij jashtë vendit siç e kishte bërë në vitin 2011.
 

Dardan Gashi, milioner
Dardan Gashi, ministër në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka deklaruar patundshmëri në vlerë prej 1,200.000 euro, nga të cilat 730 mijë janë pronë e familjes së ngushtë, ndërkohë që të tjerat janë pronë e përbashkët. Duket se ministri Gashi është i vetmi që posedon letra me vlerë. Para të gatshme të mbajtura në institucione financiare Gashi ka deklaruar 30.000 euro, nga të cilat 11.000 janë të bashkëshortes. Detyrime financiare ndaj personave juridikë dhe fizikë Gashi ka deklaruar 10.000 euro kredi.
Të hyrat vjetore, të ministrit Gashi janë rreth 33 mijë euro, nga të cilat 15.240 janë të Qeverisë së Kosovës, kurse të tjerat nga të drejtat e autorësisë. Bashkëshortja e ministrit Gashi, gazetare në Austri, ka të hyra gati dy herë më të mëdha (75.000 euro) se Ministri Gashi.
 

Deputeti më i pasur
Deputeti i AAK-së, njëherësh biznesmeni Ramiz Kelmendi, i cili është themelues i kompanisë ELKOS, po vazhdon të shënojë rritje në pasurinë e tij private. Ai gjatë vitit ka blerë dy prona që i kanë kushtuar mbi 2.5 milionë euro. Kelmendi njëherësh është pronar i njërës prej kompanive më të mëdha në vend “Elkos”.


Komunari më i pasur
Ndër kryetarët tjerë që nuk kanë shënuar rritje, por që po e ruajnë pasurinë milionëshe, është ish-kryetari i Gjakovës, Pal Lekaj. Ai vazhdon të jetë ndër të paktët kryetarë komunash që ka pasuri disamilionëshe. Vetëm pasuri të paluajshtme ka 6 milionë e 280 mijë euro. Në këtë vlerë të pasurisë Lekaj ka llogaritur dy restorante me 2300 metra katrorë, tokën prej 3 hektarësh dhe shtëpinë e tij 360 metra katrorë. Ndërsa, si pasuri të luajtshme Lekaj ka paraqitur 131 mijë euro vetura apo dy Mercedes, një BMW dhe 4 Golfa.
Nga formularët e publikuar të mërkurën nga Agjencia Kundër Korrupsionit në uebfaqe, del se udhëheqësit e komunave të Kosovës nuk janë shumë mbrapa zyrtarëve qeveritarë sa i përket pasurisë së krijuar pas luftës.
 

Komunari më i ‘varfër’
E kryetari i Komunës së Novobërdës, Bajrush Ymeri, edhe pse gjatë gjithë vitit ka punuar dhe është paguar për punën e bërë, megjithatë ka dalë të jetë më i varfër tani se një vit më parë. Pa bërë asnjë investim dhe pa blerë asgjë, sipas deklarimeve të dy viteve, shihet se Ymeri në vitin e kaluar kishte deklaruar se kishte para të gatshme 4000 euro, ndërsa tani ka deklaruar se i ka vetëm 2 mijë e 100 euro.


Ministri më i ‘varfër’
Ibrahim Makolli, ministër i Diasporës , ka deklaruar dy poste, atë si ministër dhe sekretar i përgjithshëm në Aleancën Kosova e Re.
Si pasuri të paluajtshme ministri ka deklaruar një banesë (të blerë në vitin 2006) me vlerë 60.000 euro, në pronësi të përbashkët dhe 12 hektarë tokë e trashëguar, vlera e të cilës nuk është treguar.
Si pasuri të luajtshme Makolli ka deklaruar veturën Volvo, e blerë në vitin 2008 (me kursime) me vlerë 5 000 euro. Makolli ka deklaruar se ka detyrim ndaj TEB Bankës, 15.000 euro për blerje të banesës.
Ministri Makolli ka deklaruar pagën prej 1108 eurosh në muaj.

Çitaku nuk shënon rritje të pasurisë
Ministrja për Integrime Evropiane, Vlora Çitaku, vlera e paluajtshmërive nuk ka shënuar ngritje prej kohës kur ajo ndodhet në këtë post. Çitaku ka deklaruar dy banesa, të dyjat pronë e përbashkët familjare, ku njëra ka 90 metra katrorë me vitin e përfitimit 1980, kurse tjetra 57 metra katrorë dhe është blerë në vitin 2005. Vlera e të dy banesave bashkërisht është 140 mijë euro. Nga pasuria e luajtshme ndërkaq, Çitaku ka deklaruar një Reno Clio, që është po ashtu pronë familjare e blerë në vitin 2006 dhe që kushton 6.500 euro. Çitaku ka detyrime financiare (kredi) rreth 7 mijë euro dhe pagë mujore 1,270.50 euro. Përderisa gjatë vitit 2011 ajo kishte të kursyera në bankë 5 mijë euro, gjatë deklarimit të sivjetmë nuk figurojnë kurrfarë kursimesh.


Beqiri në kredi
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së Ismet Beqiri, nuk ka shënuar asnjë ndryshim në pasurinë e tij nga viti 2011 në vitin 2012. Sipas të dhënave që ai i ka paraqitur në Agjencinë Kundër Korrupsionit, gjatë vitit 2012 ka marrë kredi prej 20 mijë euro për nevoja familjare, ndërsa asnjë ndryshim tjetër në pasurinë e tij nuk ka paraqitur.


Rexhepi me veturë të shtrenjtë
Ministri i Punëve të Brendshme e ka paraqitur në deklarimin e pasurisë veturën më të re Range Rover HS e cila, sipas tij, ka kushtuar 80 mijë euro. Në formularin e deklarimit të ministrit Rexhepi për vitin 2012 ai ka paraqitur se është futur në kredi prej 30 mijë eurosh, ndërsa asnjë ndryshim tjetër në pasurinë e tij nuk ka pasur, siç e ka paraqitur ai.


Pasuria e tre udhëheqësve më të lartë të shtetit
Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, ka deklaruar në formularin e pasurisë për vitin 2012 se ka para të gatshme në bankë 47 mijë e 853 euro, ndërsa paga vjetore e saj është 34 mijë e 478 euro. Derisa në deklarimet e vitit të kaluar për vitin 2011 Jahjaga kishte deklaruar se bashkëshorti i saj nuk ka asnjë të hyrë mujore, në formularin e vitit 2012 ajo i ka prezantuar dy paga të tij, një në QKUK në vlerë prej 551 euro dhe një tjetër si asistent në Fakultetin e Mjekësisë në shumë prej 415 euro për muaj. Edhe pse të hyrat në familjen Jahjaga janë shtuar, presidentja tanimë ka mbetur pa veturë. Në deklarimin e pasurisë për vitin 2011 Jahjaga kishte deklaruar se e posedonte një veturë Golf që e kishte blerë 6 mijë euro, ndërkohë që në deklarimin e vitit 2012 të publikuar, Jahjaga ka treguar se nuk e ka më atë veturë, ndërsa nuk ka paraqitur ndonjë pasuri tjetër të luajtshme. Jahjaga po ashtu ka marrë gjatë vitit 2012 dy kredi bankare në vlerë prej 10 mijë eurove.


Kryeparlamentari s’ka lëvizje të pasurisë
Kryeparlamentari Jakup Krasniqi nuk ka asnjë lëvizje në pasuri dhe në para të gatshme. Ai i ka deklaruar si para të gatshme në bankë, aq para sa i kishte deklaruar edhe vitin e kaluar. E ato janë në shumën prej 18 mijë e 24 euro. Mirëpo, për dallim se vitin e kaluar kishte paraqitur shumën prej 20 mijë euro të bashkëshortes që i kishte në bankë, në formularin e fundit, Krasniqi nuk e ka paraqitur asnjë cent për bashkëshorten.


Kryeministri Thaçi, vetëm 2 mijë e 430 euro para të gatshme
Kryeministri Hashim Thaçi, pavarësisht punës që e bën, sipas deklarimeve që i ka bërë në AKK, del se gjatë vitit 2012 ka qenë më i varfër se një vit më parë. Derisa për vitin 2011 kishte paraqitur të dhëna se kishte në bankë 18 mijë euro, për vitin 2012 ai ka paraqitur si para të gatshme në bankë vetëm 2 mijë e 430 euro. Megjithëkëtë, Thaçi nuk është deklaruar se ka bërë ndonjë investim me paratë që i ka shpenzuar gjatë një viti. Ndërsa, sa i takon pagave vjetore, kryeministri i vendit vazhdon të paguhet më pak se bashkëshortja e tij. Derisa Thaçi për një vit paguhet nga buxheti i shtetit 17 mijë e 318 euro për punën që bën, bashkëshortja e tij paguhet 18 mijë euro nga Kolegji Fama.
 

  • xheti

    14:25 / E premte, 03 Janar 2014
    Bile qiky i fundit paska rrejtë fortë.
  • Janjevalija

    13:22 / E enjte, 02 Janar 2014
    Ktu ka shumë rrena; kta krejt pasurin që e kan krijuar pas luftes e kanë shperndar neper fare-fis, as dreqi n'fije sun u bjen...
  • ??

    13:21 / E enjte, 02 Janar 2014
    pa koment,
Komento:

VËREJTJE: Gazeta Tribuna mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!

Nga Rubrika
Ballina e Gazetës 23 Shtator 2014
  • Të fundit
  • Më të lexuara
  • Më të komentuara
Email: [email protected] Marketing: [email protected]
Telefon: 038 227 138 / 045 519 819 Marketing: 038 223 204 / 045 555 881
© Copyright 2014 - Gazeta Tribuna. Të gjitha të drejtat e rezervuara.
Site by Kreatoda